Shpend Tërdevaj, Sekretar i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është shkarkuar sot nga kjo pozitë me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shfuqizimin e vendimit të qeverisë paraprake me kryeministët Avdullah Hoti, që e emëroi Tërdevajn në pozitën e sekretarit KSK-së në shtator të vitit 2020.

Shpend Tërdevaj, fillimisht ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga Qeveria Haradinaj, por që ishte kthyer në detyrë pas një konkursi nga Ministria e Punëve të Brendshme, në krye me Agim Veliun.

Shpend Tërdevaj më parë ka qenë funksionar i Lidhjes Demokratike. Në vitin 2007, ai kishte garuar për Asamblenë Komunale të Klinës nga radhët e LDK-së, ndërkaq nga 2007 deri më 2010 në Qeverinë Thaçi 2 – pjesë e së cilës ishte edhe LDK – ai ishte emëruar zëvendësministër i MAPL-së.

Marrëdhënia e tij me pushtetin e LDK-së kishte vazhduar edhe më vonë, kur ishte emëruar për herë të parë në pozitën më të lartë udhëheqëse të KSK-së.

Për herë të parë në pozitën e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, Tërdevaj ishte emëruar më 22 mars të vitit 2017 me propozimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Kurti tha se procedura e rekrutimit në punë të Tërdevajt në pozitën e Sekretarit të KSK-së, ishte bërë duke shpërfillur procedurat.

 Kurti potencoi që vendin e tij do ta zëvendësoj një ushtrues detyre deri në emërimin e Sekretarit të ardhshëm të Këshillit të Sigurisë në Kosovë.

“Pozita në fjalë do të mbulohet nga një zëvendësues i përkohshëm deri në rekrutimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurisë ”.

Kjo pikë e rendit të ditës u miratua në, mbledhjen e Qeverisë  me të gjitha votat për asnjë kundër dhe asnjë abstenim.