Kush është Richard Grenell, i dërguari i Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi?

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina, transmeton lajmi.net.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell të dërguar të administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, transmeton lajmi.net.

Grenell do të vazhdojë të kryejë funksionin e ambasadorit amerikan në Berlin por në mënyrë aktive do të merret me bisedimet për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes.

Vendimi konsiderohet i befasishëm marrë parasysh se administrata amerikane në fund të gushtit kishte emëruar diplomatin Mathew Palmer si të dërguarin special për Ballkan i cili mes tjerash, besohej se do të merret edhe me dialogun.

Por, kush është Richard Grenell që jeton në Berlin në një lokacion jo larg portës së Brandenburgut? Ai përfaqëson politikat e SHBA-ve në Gjermani, vend ky që ishte ndihmuar nga amerikanët të çlirohet gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kujtojmë që në shtator të vitit 2017, presidenti Trump e nominoi Richard “Ric” Grenell, ish-diplomat në administratën e presidentit George Bush.

Gjatë kohës së administratës së Bushit, Grenell ishte drejtori i ekipit të Komunikimit dhe Diplomacisë Publike, të katër ambasadorëve të ndryshëm amerikanë në Kombet e Bashkuara.

Gjatë asaj kohe ishin diskutuar temat si luftërat në Irak dhe Afganistan, çështja e Iranit si dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut, që më pas pasoi edhe me përfshirjen e çështjes së Sirisë.

Gjithashtu Grenell ka shërbyer si këshilltar politik dhe zëdhënës për media i politikanëve të ndryshëm Republikan, përfshirë John McCain gjatë fushatës presidenciale gjatë vitit 2000.

loading…