Kush është Pranvera Zejnullahu-Raçi, drejtuesja e re e SHSKUK-së?

Pranvera Zejnullahu-Raçi është emëruar sot U.D drejtoreshë në SHSKUK, pasi Valbon Krasniqi dha dorëheqje nga kjo pozitë. 

Krasniqi dha dorëheqje rreth dy vjet pasi ishte emëruar në këtë pozitë pas shkarkimit të ish-drejtorit Basri Sejdiu në vitin 2020. Dorëheqja e Krasniqit erdhi pas raportimeve javën e kaluar se pritej të shkarkohej nga Bordi Drejtues.

Organi më i lart drejtues në SHSKUK, në vend të Krasniqit e solli një grua. Pranvera Zejnullahu-Raçi, specialiste e gjinekologjisë në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në QKUK.

Zejnullahu-Raçi punon që disa vite në këtë klinikë por asnjëherë nuk ka mbajtur ndonjë pozitë drejtuese ose shefe reparti.

Ajo ka qenë e angazhuar në disa reparte në këtë klinikë, ndërsa së fundmi ka punuar në Operativë, repart ky i cili udhëhiqet nga Zef Ndrejaj. Ky i fundit është përzgjedhur drejtor klinike dhe pritet të marr mandatin këto ditë.

Zejnullahu-Raçi poashtu është e angazhuar si asistente e rregullt në Fakultetin e Mjekësisë ku merr edhe rrogë primare.

Bordi Drejtues e ka emëruar atë në pozitën e ud. drejtoreshës së SHSKUK-së, organizatë kjo e cila ka buxhet mbi 160 milionë Euro, dhe përbëhet nga QKUK me mbi 30 njësi, QKSUK, shtatë spitale rajonale, dhjetëra qendra kombëtare të shëndetit dhe me mbi 7 mijë punëtorë.