Milan Radojiçiq

Kush është Milan Radojiçiqi – kryekrimineli prapa terrorizmit në veri?

Pamjet janë të qarta. Radojiçiqi ishte pjesë e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Bajskë të Zveçanit. Ai raportohet të jetë plagosur dhe të ketë ikur drejt Serbisë. Por, kush është Radojiçiqi?

Mediumi opozitar serb Nova i ka përgatitur një profil këtij kryekrimineli duke treguar për gjërat që dihen për këtë personazh të errët.

Ky medium shkruan se Radojçiqi është i lidhur me një numër të madh mashtrimesh përmes kompanive që kishte në pronësi.

Radojçiqi është lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Për të ishte lëshuar një fletarrest, por i cili ishte tërhequr më pas në marsin e vitit 2021 nga autoritetet tona pa një shpjegim zyrtar.

Ai po ashtu ishte kërkuar për përfshirjen e tij në rastin “Brezovica” dhe dyshohet se ka kryer krimin e intimidimit të dëshmitarëve gjatë procedurave gjyqësore. Radojçiqi njihet edhe për arratisjen e tij në pikën administrative të Bërnjakut në veri të Kosovës në shkurtin e vitit 2022.

Radojçiqi njihej edhe për autoritetet gjyqësore në Serbi. Ndaj tij dhe ndaj Zvonko Veselinoviqit kishte pasur një aaktakuzë në vitin 2011 për përvetësim, por ishin shfajësuar nga këto akuza prej Serbisë më 2016.

Ai bashkë me Zvonko Veselinoviqin është pronar i të paktën katër kompanive në Serbi. Por, me kalimin e viteve këta persona ishin bërë biznesmenë legalisht përmes një kompanie të quajtur Inkop. Vetëm në vjeshtën e vitit 2018 ata ishin bërë formalisht si bashkëpronarë.

Inkopi është përfshirë në projekte të mëdha shtetërore në Serbi, shpesh në formën e nënkontraktorëve. Nova shkruan se Radojçiqi me Veselinoviqin kanë blerë edhe një kompani tjetër përmes të cilës kanë fituar nga një tender në muaj në Serbi, kryesisht në qytetet si Novi Pazari, Tutini dhe Rashka.

Siç tashmë e dimë të gjithë, Veselinoviqi me Radojçiqin bashkë me shumë kompani të tyre janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Partneri më i madh i Kosovës i akuzon këta persona se janë pjesë e rrjeteve korruptive dhe e krimit të organizuar ndërkombëtar. Edhe Britania e Madhe së voni ka vendosur sanksione ndaj tyre. Britanikët kanë thënë që Radojçiqi ka përfituar nga abuzimi i kontratave shtetërore në Serbi.

Këtë kriminel presidenti i Serbisë e ka përmendur disa herë. Në vitin 2018, ai i kishte dalë në mbrojtje Radojçiqit duke thënë që ai nuk kishte marrë pjesë në vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

“Millan Radojçiqi, natyrisht, s’është akademik, as piktor, as shkrimtar. Qe pse, bashkë me krejt gjërat tjera me të cilat s’mund të jetë krenar dhe për të cilat as ne s’emi të lumtur, por ai gjithmonë është në vijën e parë të mbrojtjes në Mitrovicën e Veriut,” – kishte thënë Vuçiqi në RTS në atë kohë. Vuçiqi e kishte quajtur famëkeqin Radojçqit si “njeriun numër një” për mbrojtjen e Mitrovicës së Veriut.

Më pas, në vitin 2021, presidenti serb pretendoi se nuk kishte folur kurrë me Radojçiqin, përveç në takimet që ka mbajtur me anëtarët e Listës Serbe.

Por, natyrisht pak kush beson në një gjë të tillë.

Tash për tash, dihet se Radojçiqi ishte pjesë e aksionit terrorist. Një medium boshnjak beson edhe që është i plagosur dhe po shërohet në Beograd. Ndërkohë që mbrojtja që po i bën Serbia dhe presidenti Vuçiq që shpallën një ditë zie për terroristët – e bën relacionin e Radojçiqit me Serbinë krejt të qartë si kristali.