Polici

Kush është kosovari që polici ia theu nofullën dhe brinjët

Paditësi Gjelal Dobroshi po kërkon 3 mijë e 100 euro nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), si kompensim që është rrahur nga polici Bekim Muqa.

Kjo kërkesë është kundërshtuar nga përfaqësuesja e MPB-së, Nexhmije Karaqi, e cila në seancën përgatitore të mbajtur të premten, deklaroi se kërkesa e tillë do të duhej t’i drejtohej të akuzuarit e jo kundër institucionit me të cilën ka krijuar marrëdhënie pune i akuzuari.

Tutje, përfaqësuesja Karaqi ka thënë se ky rast është parashkruar, duke marrë parasysh që dëmi është shkaktuar në vitin 2010.

Për këtë, i autorizuari i paditësit Dobroshi, përfaqësuesi Agon Rexhaj ka theksuar se parashkrimi nuk fillon të rrjedhë nga data kur është shkaktuar dëmi.

“Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit është i datës 1 janar 2016, që nënkupton se nga ky afat fillon të rrjedhë parashkrimi” – ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, gjatë kësaj seance, i njëjti i ka propozuar gjykatës që të caktohen ekspertët mjekësorë nga fusha e neurologjisë, maksillofacial, ortopedisë dhe psikiatrisë.

Për këtë, gjykatësja Rezarta Sylejmani-Voca ka thënë se në një propozim të tillë duhet të përmendem saktësisht detyrat që duhet të ndërmerren.

Duke marrë parasysh këtë, përfaqësuesi Rexhaj ka thënë se brenda afatit do të dërgoj parashtresë ku do të njoftoj gjykatën saktësisht se cilat detyra do të kryhen nga ekspertët.

Seanca e radhës pritet të caktohet në ditët në vijim.

Sipas padisë së ushtruar më 15 nëntor 2016, Gjelal Dobroshi ka paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme për kompensimin e dëmit jomaterial ne vlerë prej 3 mijë e 100 euro.

Bazuar në padi, më 6 korrik 2010, rreth orës 11:15, në Pejë, në ish-Gjykatën për Kundërvajtje, derisa paditësi ishte duke pritur në korridor nipin e tij, Shkodran Matoshin, paditësi iu është drejtuar Bekim Muqës duke i thënë “pse më ke thënë se nuk ma ke rreh nipin”, me ç’rast Muqa i është afruar paditësit Dobroshi dhe pa asnjë lajmërim e ka goditur në fytyrë dhe gjoks, nga e cila paditësi ka pësuar frakturë të nofullës së djathtë dhe çarje të dy brinjëve të gjoksit.

Po ashtu, sipas padisë, Bekim Muqa është shpallur fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe është dënuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më tutje, sipas padisë, me ankesë të Bekim Muqës, Gjykata e Apelit ka vendosur që aktgjykimi i Gjykatës Themelore të ndryshohet sa i përket vendimit mbi dënimin.

Për këtë, paditësi Gjelal Dobroshi po kërkon shumën prej 3 mijë e 100 për dhembjet e përjetuara fizike, zvogëlimin e aktivitetit të përgjithshëm jetësorë, frikën që ka përjetuar, fitimin e humbur dhe për medikamente, kontrolla e udhëzime.