Mbi 1 milion euro do t’i përfitojë kompania turistike “AS TRAVEL CLUB”, pasi vetëm në dy muajt e fundit është shpallur fituese e disa tenderëve nga Qeveria Kurti. Kjo kompani që duket se është e preferuara e Qeverisë, ka arritur të fitojë 4 tenderë nga ministrit e Kurtit përmes Prokurimit Publik.
Vetëm gjatë kësaj periudhe katër ministri të Qeverisë Kurti kanë njoftuar se i kanë dhënë tender kësaj kompanie për bileta për udhëtime zyrtare jashtë Kosovës, shkruan Ballkani.info.
Gjatë ditës së sotme Ballkani ka raportuar se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e udhëhequr nga Rozeta Hajdari ka dhënë kontratë për shërbime të transportit ajror në vlerë prej rreth 60 mijë euro. Edhe këtë tender e ka fituar kompania “AS TRAVEL CLUB”.
Nga MINT-i kjo kompani e cila ishte e vetme që kishte ofertuar për këtë tender, do të përfitojë plotë 57 mijë e 1 euro.

Ndërsa, pak ditë më parë edhe Ministria e Punëve të Jashtme e udhëhequr nga Donika Gërvalla, kishte njoftuar se kishte dhënë një tender për shërbime të transportit ajror, shkruan Ballkani.info.
Fituese e këtij tenderi ishte përzgjedhur “AS TRAVEL CLUB”, e cila ka përfituar plotë 741 mijë e 19 euro për 1900 bileta aeroplani.

Ndërsa, vetëm 2 ditë para ministrisë së Gërvallës, tender për bileta kishte dhënë edhe Kuvendi i Kosovës.
Me 20 shtator, Kuvendi i Kosovës kishte nënshkruar tenderin për blerjen e biletave për udhëtime me aeroplanë për nevojat e këtij institucioni. Ky tender kap vlerën e 97 mijë e 502 eurove.
Ndërsa nga kjo kontratë është paraparë që të blihen afro 250 bileta.

Po ashtu, gjatë muajit shtator kësaj kompanie i dha tender edhe Ministria e Punëve të Brendshme e udhëhequr nga Xhelal Sveçla.
Nga kjo kontratë MBP-ja do të blejë rreth 261 bileta për udhëtime jashtë Kosovës. Ndërsa kompania turistike “AS TRAVEL CLUB”, ka përfituar plotë 117 mijë e 972 euro nga kjo kontratë. /Ballkani.info/








