Komandanti i Llapit

Kush është komandat Remi, i akuzuari i parë nga Gjykata Speciale?

I njohur me nofkën Remi, Rrustem Mustafa ka qenë komandant i Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitet 1998-1999.

Pas luftës, ai kishte shërbyer edhe në strukturat e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), para se të inkuadrohej në politikë.

Pas shërbimit në TMK, Mustafa iu bashkua radhëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila udhëhiqej nga një ish-udhëheqës i lartë i UÇK-së, Hashim Thaçi.

Komandant Remi shërbeu si deputet në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2013, ai dhe dy pjesëtarë të tjerë të “Grupit të Llapit” u dënuan për krime të luftës kundër popullatës civile. Mustafa u dënua me 13 vjet burgim, në një vendim që e ndërmori një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të EULEX-it, shkruan Ballkani.info.

Por, Gjykata Supreme i kishte zbutur atij dënimin, në vetëm 4 vjet burg. Gjithsesi Komandant Remi ishte liruar nga burgu rreth tetë muaj para se të shlyente dënimin e plotë.

Pas luftës, jeta e Rrustem Mustafës është karakterizuar edhe me pasurimin e shpejtë të tij.

Në një deklarim të pasurisë së vet, në Agjencinë Kundër-Korrupsion në vitin 2015, Mustafa kishte deklaruar një truall me sipërfaqe prej 1 mijë e 600 metrave katëror që vlente 500 mijë euro.

Mustafa po ashtu kishte deklaruar edhe një veturë personale që e vlerësonte 25 mijë euro.

Ndërkaq sot është konfirmuar nga avokati Arinit Koci, se Rrustem Mustafa ka pranuar një ftes që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. /Ballkani.info/