Kush është Gazmend Hoxha, kandidati që pritet të emërohet drejtor i Policisë?

Procesi maratonik i përzgjedhjes së drejtorit të Policisë së Kosovës, po shkon drejt fundit. Tashmë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e ka propozuar për në qeveri emrin për miratim. Ai është Gazmend Hoxha, aktualisht drejtor për Operacione në Policinë e Kosovës.

Demokracia.com më herët kishte raportuar me burime lidhur me emrin e Hoxhës për drejtor të PK-së, si dhe për mbledhjen e Qeverisë ku pritet të konfirmohet emri i tij për në krye të policisë nesër.

Policia ka mbetur pa drejtor që nga muaji shtator i vitit të kaluar. Kjo pasi Samedin Mehmeti kishte dhënë dorëheqje pas dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë. Ushtrues detyre i drejtorit të Policisë ishte caktuar Fehmi Hoti.

Sipas Ligjit për Policinë e Kosovës, ky komision që është krijuar ia propozon ministrit të Brendshëm, kandidatët e mundshëm për t’u emëruar në pozitën e drejtorit të Policisë së Kosovës. Ministri, në këtë rast Xhelal Sveçla, i propozon qeverisë njërin nga emrat. Pra, gjithçka tash është në dorën e Qeverisë së Kosovës.

“Komisioni i propozon ministrit kandidatët për emërim në pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, ministri në njërën nga mbledhjet e Qeverisë i propozon kandidatin Qeverisë për këtë pozitë, ndërkaq Qeveria i rekomandon kryeministrit kandidatin për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë e emëron Kryeministri”, thuhet në Ligjin për Policinë e Kosovës.

Komisioni vlerësues në kuadër të Ministrisë së Brendshme përbëhej nga: Fahrije Tërnava (Kryesuese), Naim Bardiqi, Blerim Hasani, Refike Sulçevsi dhe Skënder Perteshi.

Kush është Gazmend Hoxha?

Gazmend Hoxha është aktualisht drejtor për Operacione në Policinë e Kosovës. Ai ishte vlerësuar më së shumti nga të gjithë kandidatët, edhe nga Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Nga intervistat, Ambasada e Britanisë në Kosovë e cila ka vlerësuar procesin, e ka përzgjedhur të vetmin kandidat për t’u zgjedhur Gazmend Hoxhën. Hoxha që aktualisht është Drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës, është vlerësuar me 27.5 pikë nga britanikët, nga 40 në total.

Asnjë kandidat tjetër sipas vlerësimit të britanikëve nuk është i denjë për t’u bërë Drejtor i Policisë së Kosovës.

Gazmend Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Kosovës. Ai punën në Policinë e Kosovës e ka nisur në vitin 2000, kurse dy vjet më pas kaloi në gradën rreshter në stacionin Jugu të Prishtinës.

Hoxha në vitin 2009 kishte qenë edhe drejtor i Njësive Speciale, kurse në vitet 2010-2011 u emëruar Drejtor kundër Krimit të Organizuar. Në vitin 2012 u emëruar Drejtor i Policisë në Ferizaj.

Aktualisht Gazmend Hoxha është drejtor i Departamentit për Operacione në Policinë e Kosovës.

Kandidatët e tjerë për drejtor të Policisë së Kosovës kanë qenë: Bahri Shala, Fatos Haziri dhe Granit Fetahu.