Kush është Ervis Martinaj, ‘mbreti’ i lojërave të fatit i përfshirë në disa krime

Emri i Ervis Martinajt do të përmendej për herë të parë në kronikat e zeza në tetor të viti 2013.

Në zonën e ‘Komunës së Parisit’ u ekzekutua Elvis Doçi një biznesmen në fushën e lojërave të fatit.

Policia në atë kohë e hetoi si të dyshuar për ngjarjen për shkak të një konflikti që kishte pasur me viktimën për lojërat e fatit, pak pas nisjes së operacionit ‘fundi i marrëzisë’ që mbylli kazinot në vend.

Në nëntor të 2015-ës Ervis Martinaj do të shfaqej në një tjetër vrasje, këtë herë e dokumentuar me pamje filmike.

Enton Nikaj ekzekutohet në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur.

Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit.

Për vrasjen u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.

Ndërkohë që fuqizonte pozitën e tij në fushën e lojërave të fatit, Martinaj do t’i shpëtonte vetë plumbave në tetor të 2018-ës në zonën e ish-Bllokut.

Ai mbeti i plagosur nga ish-komando Meviol Bilo ndërsa plumbave nuk i mbijetoi shoku i tij Fabiol Gaxha. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe Eljon Hato shoqëruesi tjetër i Martinajt.

Martinaj ishte subjekt edhe i operacionit “ Forca e Ligjit ” të cilit iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë.

Në prill të 2021-it, 40-vjeçari i lindur në Burrel por me banim në Fushë-Kuqe dhe Tiranë, u dënua nga Gjykata e Tiranës me gjykim të shkurtuar me 3,8 vite burg.

Ai u shpall fajtor për akuzat e “Sigurimit të kushteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit apo vizave”, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. /Euronews.al/