Kush është diplomatja e SHBA-së që po vjen për vizitë në Kosovë e Serbi

Shefja e lartë e zhvillimit ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, Samantha Power, do ta vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë, ku do të takohet me udhëheqësit e dy vendeve. Kjo vizitë vjen në një moment kur liderët e SHBA-së dhe Evropës po punojnë për t’i stabilizuar marrëdhëniet mes dy ish-armiqve të kohës së luftës në një kohë tensionesh të shtuara.

Power bëhet shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) që udhëton në Serbi, vend që mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.

Power pritet të takohet me kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve, ku pritet t’i inkurajojë ata të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo “do ta theksojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në deklaratën e publikuar nga USAID.

Power do të jetë zyrtarja e parë e lartë e qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis krerëve të dy qeverive javën e kaluar në Bruksel.

Që 12 vjet, BE-ja ka punuar në ndërmjetësimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të qetësuar tensionet midis dy kryeqyteteve, veçanërisht së fundi kur ka pasur tensione të ngritura në veri të Kosovës.

Gjithashtu, Power do të takohet në Kosovë dhe Serbi me anëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesi, gazetarë dhe të tjerë, përfshirë ish-lojtarin serb të NBA, Vlade Divaq, dhe atletë me aftësi të kufizuara.