Dhëndri i Vikotr Orbanit, Ishtvan Tiborc, i cili bleu 11 ndërtesa në Beograd, është një nga tre bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit hungarez, i cili fitoi një pasuri të madhe në një kohë të shkurtër, tha Gabor Bodish, një gazetar nga Budapesti.

Tiborc ka lindur më 23 qershor 1986 në Sombathelj, qyteti më i vjetër në Hungari. Ai u martua me Rahel Orban në shtator 2013. Ata kanë tre fëmijë, shkruan Ballkani.info.

“Ishtvan Tiborc është me profesion dhëndër i kryeministrit Viktor Orban. Ai është një nga tre bashkëpunëtorët e Orbanit. Njëri është Lerinc Mesarosh, shok shkolle dhe tjetri nga fëmijëria e Viktor Orbanit. Fjala vjen, ai është një manjat vendas i gazit, i cili brenda pak vitesh është bërë hungarezi më i pasur, me afërsisht 2 miliardë euro, dhe dominon në renditjen e hungarezëve më të pasur. Një tjetër, i cili pati një karrierë kaq të shpejtë dhe të suksesshme në biznes, është dhëndri i Orbanit, Ishtvan. Ai u martua me vajzën e tij të madhe dhe që nga ai moment filloi biznesi i tij. Ishtvan është i njohur për blerjen gjithnjë e më shumë të pasurive të paluajtshme dhe bizneseve edhe në Hungari. Ai bleu edhe hotelin më të famshëm, i cili mund të krahasohet me Hotel Moska në Beograd, si dhe një hotel në bregdetin e Adriatikut. Interesant është edhe anëtari i tretë i asaj skuadre, po ashtu një i ri nga Budapesti, pikërisht Danijel Jerinek, nga i cili Tiborc bleu disa ndërtesa në Beograd. “Danijel ka ndërtesat të blera në Kroaci dhe më duket se tani është i detyruar t’ia dorëzojë një pjesë të ‘pronës’ së tij ‘dhëndrit të parë të Hungarisë'”, tha Gabor Bodish, një gazetar nga Budapesti në News Night.

Bodish po ashtu thotë se bashkëpunimi afarist mes Hungarisë dhe Serbisë lidhet drejtpërdrejt me miqësinë mes Orbanit dhe Vuçiqit.

“Për të kuptuar synimet e hungarezëve ndaj Ballkanit Perëndimor, duhet ditur se në Hungari në 15 vitet e fundit kanë hyrë më shumë se 60 miliardë euro. Ekonomistët e pavarur atje vlerësojnë se një e treta e atyre parave shkuan në xhepat privatë, sepse një person vendos gjithçka. Atëherë është e lehtë të kuptohet se sa i dobishëm është një dhëndër apo shok fëmijërie, apo thjesht një mik i Viktor Orbanit. Më tej, ato para duhet të investohen diku, dhe investimi në pasuri të paluajtshme është një biznes i sigurt. Gjithashtu duhet pasur parasysh se pas “pushtimit” ekonomik të terrenit vjen ndikimi politik. Gjithashtu, nuk duhet të anashkalojmë faktin që Orban është i izoluar në Bashkimin Evropian dhe se ai është në kërkim të partnerëve të rinj. Kjo do të thotë se nëse vendet e Ballkanit Perëndimor bëhen anëtarë të BE-së, ai do të ketë aleatë të rinj. Një tjetër specifikë, përveç “miqësisë historike” mes Orbanit dhe Vuçiqit, është se Serbia nuk është në BE, kështu që kontrolli i kapitalit është dukshëm më i vogël”, tha ai.

Zgjerimi i fuqisë ekonomike nga territori i Hungarisë në territorin e Serbisë

Ekonomisti Bozho Drashkoviq thotë se ajo që po ndodh në Serbi nuk është një rast i “izoluar”.

“Për fat të keq ky është një proces që ndodh jo vetëm në vendin tonë por edhe në vende të tjera që nuk kanë demokraci. Përfundimi është se kur dikush vjen në pushtet, ata ofrojnë mundësinë për bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, të afërmit dhe kumbarët për të gjeneruar një sasi të caktuar pasurie, pushteti dhe ndikimi monetar në zonat ku ata ndodhen. Në këtë rast kemi zgjerimin e fuqisë ekonomike nga territori i Hungarisë në territorin e Serbisë. Prej kohësh dihet se në Vojvodinë, në vende të caktuara, ekzistonte një strategji investimi nga Hungaria në mbështetje të zhvillimit të popullsisë me kombësi hungareze. Tani kemi zgjerim të mëtejshëm, për të investuar në patundshmëri në Serbi, pra në Beograd. Pritshmëria e tyre është të gjenerojnë fitime shtesë. Të gjithë ata njerëz që vijnë në pozicione afër qeverisë, gjenerojnë dhe krijojnë një shumë të madhe parash dhe ato para kërkojnë një vend për ‘punësim’. Hapësira për të investuar në aktivitete prodhuese është e vogël, ndaj investohet në patundshmëri, tokë bujqësore dhe ndërtimore”, shpjegoi ekonomisti.

Ai gjithashtu theksoi se investimi në prodhim është një proces investimi më i rrezikshëm, që nënkupton njohuri, organizim të mirë dhe mundësi të vazhdueshme të përdorimit të fondeve për investime afatgjata.

“Kjo është arsyeja pse njerëzit që kanë fituar pasuri bazuar në afërsi politike, familjare apo të tjera, rrallë investojnë në prodhim. Ata preferojnë kryesisht investimin në pasuri të paluajtshme ose zona që ofrojnë mundësinë e fitimeve afatgjata. Pres investime edhe në sektorin energjetik, të cilat tashmë janë paralajmëruar. Në këtë drejtim do të ishte interesant ndërtimi i një hidrocentrali të kthyeshëm pranë Kokin Brodit. Bëhet fjalë për një investim rreth 500 milionë euro dhe një investim në burimet e rinovueshme të energjisë, i cili është shumë fitimprurës. Nëse kjo u ofrohet hungarezëve, do të kemi zgjerim të fuqisë së tyre ekonomike në sektorin energjetik të Serbisë”, tha Drashkoviq.

Ai gjithashtu theksoi se Serbia ka shitur pothuajse të gjithë sektorin e pasurisë minerale, një pjesë të mirë të sektorit të energjisë, tregtisë me pakicë, sektorit industrial dhe se, siç tha ai, “ne jemi de facto në pozitën e një vend neo-kolonial”. /Ballkani.info/

BONUS VIDEO: Kosova po vazhdon të armatoset, në radhë janë anti-tankët e fuqishëm, Javelinët amerikanë