Kush është avokati i ri i Popullit, ish-zëvendësministri i AAK’së?

Kuvendi i Kosovës sot e ka zgjedhur më 69 vota për Naim Qelajn Avokat të Popullit.

Për zgjedhjen e Qelajt në këtë pozitë kanë votuar 93 deputetë, 16 vota kanë qenë të pavlefshme, 69 vota për, 5 kundër dhe 3 abstenime.

Ndryshe, Naim Qelaj me profesion është avokat dhe për një periudhë të gjatë këtë profesion e ka ushtruar në Prizren.

Më 5 dhjetor të vitit 2017, kur Qeveria e Kosovës udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, Qelaj ishte emëruar zëvendësministër i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Përveç pozitës së zëvendësministrit, Qelaj gjatë Qeverisë Haradinaj ishte edhe Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje.

Naim Qelaj njihet edhe si avokati i cili për disa vite e kishte përfaqësuar Shyhrete Berishën nga Suhareka. Familja e Shyhrete Berishës, familja e së cilës ishte vrarë gjatë kohës së luftës nga forcat paramilitare serbe e kishte paditur familjen e bashkëshortit të saj të ndjerë për ta realizuar të drejtën e saj në trashëgiminë e tij.