Kush është avokati francez i Sali Berishës që do ta padis sekretarin amerikan të shtetit

Deklarata e ish-kryeministrit Sali Berisha për padinë e ngritur ndaj sekretarit të Shtetit amerikan Anthony Blinken tashmë po bën xhiron.

Një nga arsyet, vjen edhe nga profili i avokatit francez të Berishës që do të “sfidojë” Departamentin e Shtetit. Jean-Yves Le Borgne është një emër aspak i panjohur në jetën publike franceze, dhe jo vetëm.

I cilësuar si një nga penalistët më të mirë të vendit, 70- vjeçari Le Borgne, që lind si filozof, i drejtohet jurisprudencës vetëm në vitet 70, dhe më së shumti në rolin e pedagogut.

Vetëm në vitet 90 emri i tij fillon të njihet gjerësisht si avokat i çështjeve tregtare, pasi kishte dështuar në politikë si kreu i një partie të vogël, atë të Unionit të Qendrës Republikane (l’Union centriste républicaine), edhe pse e cilëson vetën si një golist i majtë, shkruan a2news.

Të shumtë janë klientët e tij të njohur, edhe ndërkombëtarisht. Nga ish-kryebashkiaku i Parisit Jean Tiberi, tek personazhe të botës së showbizit, dhe deri tek sipërmarrësi Carlos Ghosn, arkitekt i aleancës mes prodhuesve të makinave Renault dhe Nissan, i shkarkuar nga posti i presidentit të grupit pas arrestimit në 2018 për abuzime financiare.