Në Budva

Kush është anëtari i Nismës, Institutit të të cilit MASHT-i ia dha afër 30 mijë euro

Afër 30 mijë euro i ka kushtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) një trajnim 6-ditor i punëtorëve të saj në hotelin “Mediteran”, në Budvë të Malit të Zi. Ky trajnim nga fusha e administratës, i cili ka nisur në fund të muajit shtator, është mbajtur në dy grupe, të cilat kanë mbajtur nga 3 ditë trajnim.

Trajnimet i ka mbajtur Instituti Kosovar për menaxhim (KMI), që është biznes i regjistruar në emër të gruas së anëtarit të partisë Nisma Socialdemokrate, Ilir Rexhepi. Deri para 1 viti, Rexhepi ka qenë drejtor menaxhues në këtë institut. Por ishte detyruar të hiqte dorë nga kjo pozitë pasi Agjencia Antikorrupsion kishte hapur rast ndaj tij, meqë ai mbante disa pozita udhëheqëse në institucione publike.

Burime të Kohës Ditore brenda MASHT-it kanë treguar se kjo ministri ia ka paguar KMI-së, 600 euro për person për ndjekjen e këtij trajnimi nga fusha e administratës. Në listën e pjesëmarrësve në trajnim, sipas emrave që i ka siguruar gazeta, ka pasur arkivistë, recepsionistë, asistentë administrativë e përkthyes të MASHT-it.

“Përveçqë Ministrisë i ka kushtuar 600 euro trajnimi për 1 person, të gjithë ata që kanë marrë pjesë në trajnim i kanë marrë nga 26 euro mëditje në ditë. Grupi i parë ka qëndruar në Budvë më 27, 28 dhe 29 shtator, kurse i dyti ka shkuar menjëherë pas pak ditëve”, ka thënë ky burim i MASHT-it për gazetën Koha Ditore.

Më 27 shkurt të këtij viti, Ilir Rexhepi i është bashkuar partisë Nisma Socialdemokrate, parti së cilës i takon edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Vetëm dy muaj pas aderimit, MASHT-i e kishte zgjedhur atë koordinator në projektin ESIP (hua) 11 milionë dollarësh, të cilin Ministria e ka marrë më parë nga Banka Botërore.

Më 9 maj, gazeta kishte raportuar për procesin e dyshimtë të zgjedhjes së tij në krye të këtij projekti.

Burime të gazetës patën thënë se për zgjedhjen e tij, komisioni vlerësues i MASHT-it kishte bërë disa ndryshime tek CV-ja e Rexhepit për ta mundësuar emërimin në krye të projektit milionësh. Megjithatë, sekretari i MASHT-it, Ekrem Kastrati ishte arsyetuar se Rexhepi i kishte plotësuar kriteret dhe nuk është marrë parasysh përkatësia e tij politike.

Përveç si ligjërues në KMI dhe koordinator i projektit të Bankës Botërore dhe MASHT-it, Ilir Rexhepi mban edhe pozitën e anëtarit të Bordit të ujësjellësit “Prishtina” dhe njëkohësisht është ligjërues në Kolegjin AAB. Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.