Kush është Adil Krasniqi, person i rrezikshëm që po kërkohet nga Policia tash e 2 vjet

Tash e dy vjet, Adil Krasniqi, 35-vjeçar nga Kolovica e Prishtinës, mbetet i pakapshëm nga organet e rendit. 35-vjeçari i cili është cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë nga Policia, dyshohet për një varg veprash penale.

Në mesin e veprave të cilat dyshohet se i ka kryer Krasniqi, është edhe grabitja e armatosur në bankën “Raiffeisen Bank”, që kishte ndodhur më 2 shtator të vitit 2019, në Shtime.

Krasniqi dyshohet se vetë i gjashti, i armatosur deri në dhëmbë, me një veturë me targa angleze, kryen një grabitje të armatosur në filialin e kësaj banke, duke arritur që të grabisin rreth 2540 euro dhe 290 franga nga punëtorja e bankës.

Pastaj, në dalje të bankës dyshohen se gjuajtën disa herë me armë gjysmëautomatike.

Një javë më vonë, organet e hetuesisë identifikuan në rrugën “Isa Kastrati” në Matiqan të Prishtinës, veturën e Kastriot Hysenit, njërit prej të dyshuarve për këtë sulm.

Hetuesit policorë gjatë kontrollit të veturës, në bagazhin e saj gjetën katër bomba dore luftarake, prodhim i Shqipërisë, një revole e 11 fishekë të kalibrit 9 milimetra, si dhe dy jelekë antiplumbë.

Të dyshuarit e tjerë lidhur me këtë rast përfunduan në prangat e Policisë, por jo edhe Adil Krasniqi, i cili vazhdon të mbetet i lirë.

Policia e Kosovës, rajoni i Ferizajt këtë vit ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e tij, i kërkuar për grabitje të armatosur. Në njoftim thuhet se ai është i armatosur dhe i rrezikshëm për shoqërinë, shkruan Sinjali.

Ai është pjesë e një dosje të gjatë që kanë përpiluar organet e rendit për personat që janë akuzuar, ose dyshohen me bazë për krimin e grabitjes, me theks të veçantë grabitjes së armatosur.