Kush e paguan faturën financiare pas Brexit?

Prej së shtunës Bashkimi Evropian është më i vogël pasi humbi për herë të parë një nga shtetet anëtare.

Do të jenë 66 milionë banorë më pak, por ajo që do të rëndojë më shumë është pjesa e bilancit të kontributeve financiare dhe në fakt do të ketë 13 miliardë më pak.

Analistët tashmë theksojnë se kjo faturë që mungon nga dalja e Britanisë do të mbulohet nga shtetet e tjerë kontribuues në Evropë.

Tashmë në Mbretërinë e Bashkuar jetojnë 3.4 milionë banorë që kanë mbërritur atje prej vendeve të BE. Mes tyre rreth 400 mijë janë italianë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Unionit dhe Britanisë të gjithë banorët që nuk janë shtetas britanikë kanë mundësi të regjistrohen brenda qershorit për të vendosur nëse do të largohen apo nëse do të qëndrojnë.

Ata që do të zgjedhin Britaninë do të gëzojnë të gjitha të drejtat që kishin para Brexit.

Sipas analistëve, me daljen nga Unioni mund të ketë dhe rritje të taksave që duhet të paguajnë në Angli studentët e vendeve të tjera.

Por po ashtu rritje do të ketë dhe për taksat e importit apo dhe në dogana. Për këtë do të duhet që vendet të nënshkruajnë edhe marrëveshje.

Në lidhje me këto marrëveshje pritet që të hënën kryeministri Boris Johnson të japë qëndrimet e tij në parlament.