Kush e mori vendimin për “orën policore” në veri? Flasin nga ministria e Shëndetësisë

Dy komunat e veriut të Kosovës, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani nga nesër do të jenë përsëri me orar të kufizuar të lëvizjes, apo siç po quhet ndryshe “ora policore”.

Vendimi u bë publik në mbledhjen e sotme të Shtabit të Krizës atje, teksa mediat lokale raportuan se gjithçka ka ndodhur në pajtim të plotë me ministrinë e Shëndetësisë, mirëpo pa specifikuar nëse koordinimi është arritur me institucionet e Kosovës apo ato të Serbisë.

E për çështjen në fjalë, ka folur zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Ky i fundit ka konfirmuar se vendimi për “orën policore” në këto dy komuna është marrë nga ministria e Shëndetësisë e Kosovës, në koordinim me autoritetet lokale.

“Po. Vendimi është marrë nga MSH në konsultim me autoritetet lokale”, ka thënë ai.

Ndërkaq, zyrtarë tjerë nga ministria kanë thënë se vendimi arsyetohet mbi bazën e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus në pjesën veriore të vendit, ku deri tani janë konfirmuar mbi 30 raste.

Ndryshe, në bazë të vendimit që u bë publik pak më parë, qytetarët e kanë të ndaluar të lëvizin nga ora 12:00 e mesditës deri në orën 06:00 të mëngjesit.

Në nivel vendi, nga IKSHP deri në këto momente janë konfirmuar 224 raste pozitive me koronavirus.