Pak kush do të mendonte se VV-ja do të pajtohej që Glauk Konjufca të tërhiqet nga posti i kryeparlamentarit. Kjo ishte kërkesa e patejkalueshme e LDK-së.
Zyrtarë të lartë të VV-së, përfshirë kryetarin Albin Kurti as nuk e vinin në diskutim largimin e Konjufcës, krahut të djathtë të Kurtit.
Ballkani.info më herët e publikoi një deklaratë të deputetes së VV-së Albulena Haxhiu, e cila vetëm tri ditë më para thoshte me këmbëngulje se kërkesa e LDK-së për dorëheqjen e Konjufcës është tallje me Kuvendin e Kosovës.
Për me shumë, Kurti i kishte thënë Mustafës në një letër të gjatë se ‘pajtimi’ i tyre që kryeparlamentari të largohet do të ishte sjellje monarkës dhe diktatorësh, e që sipas tij, ata nuk janë.
E oferta kthyese e LDK-së për VV-në ishte pak a shumë e stilit “merre ose lere”.
“Nuk ka marrëveshje me LDK-në sepse ata po shkojnë me versionin e tyre”, thoshte ndër të tjera Kurti, duke e përmendur fjalinë “merre ose lere”.
E siç duket edhe Kurti është pajtuar me “merre ose lëre” të LDK-së.
Si rrjedhojë e ofertës, Kurti do ta jap postin e kryeparlamentarit, i cili do t’i kthehet përsëri VV-së në momentin që zgjidhet presidenti si i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kësisoj, e gjithë marrëveshja për të cilën është raportuar deri më tani, është nënshkruar sipas propozimit të LDK-së, e cila në zgjedhjet e fundit doli e dyta me vota.
Megjithatë, VV-ja dhe Kurti duket se e kanë një fitore të lehtë në këtë marrëveshje. Bëhet fjalë për pozitën e presidentit. Me këtë marrëveshje, kjo pozitë nuk përcaktohet tash për propozuesin e LDK-së, por mbetet që të bëhet në konsultim të dyja partive me të përfunduar mandati i Thaçit.
Mandati i Thaçit përfundon në mars të vitit të ardhshëm. /Ballkani.info/







