Kush duhet t’i kompensojë dëmet e veturave të përmbytura në vërshimet e janarit?

Banorët e Fushë Kosovës, veturat e të cilëve kanë pësuar dëmtime gjatë vërshimeve rreth 5 javë më parë nuk do të marrin kompensim për dëmet e shkaktuara.

Kjo është bërë e ditur nga nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, i cili gjatë një interviste për Telegrafin ka thënë se nga vërshimet të cilat u shkaktuan nga reshjet atmosferike në vend, kompensimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet nga Qeveria e Kosovës.

Por, siç ka bërë të ditur ai, nuk do të ketë kompensim të dëmeve për veturat e dëmtuara.

Sipas tij, pronarët e veturave të cilat u vërshuan nga uji e kanë bërë vet vlerësimin e veturave të tyre.

“Me rastin e vërshimeve në Fushë Kosovë janë shkaktuar dëme të mëdha në ekonomitë familjare po ashtu dhe në bizneset këtu. Edhe më herët kam thënë që vlerësimet e përgjithshme në ekonomitë familjare janë 520,537 euro, ndërsa në bujqësi janë 111,000 euro”.

Ndërsa sa i përket veturave, ai ka bërë të ditur se ato janë ndarë në dy kategori: 95 vetura që kanë qenë nën ujë, janë nga 5,000 euro deri në 10,000 euro sipas pronarëve, ndërsa 33 vetura janë vlerësuar nga pronarët nga 5,000 euro deri në 50,000 euro.

“Nuk kanë të drejtë të kërkojnë kompensimin e dëmit nga komuna, pasi e dini që për pasuritë e luajtshme, komuna nuk ka fuqi financiare që t’ua kompensojë. Komuna kërkesat i ka parashtruar në qeveri pasi s’ka fuqi ti kompensojë ato. Ne kemi shkuar të bëjmë vetëm vërtetimin – pasi ata duhet të shkojnë të kërkojnë kompensimin në kompanitë e sigurimeve”, ka thënë tutje Krasniqi.

Krasniqi po ashtu tha se fondi prej 1 milion euro i ndarë nga qeveria për kompensimin e dëmeve të pasurisë së paluajtshme gjatë vërshimeve është i pamjaftueshëm.

“197 shtëpi të vërshuara nga uji. Qeveria ka ndarë një fond prej 1 milion euro dhe e kanë përcjell tek Ministria e Pushtetit Lokal, por kjo është tërësisht e pamjaftueshme. Tash i kemi dërguar në qeveri vlerësimet tona, por ata prapë kanë kërkuar dhe plotësimin e disa formularëve të tjera si për shembull, si kanë qenë gjendja e shtëpive para vërshimeve, etj”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka vlerësuar se kjo edhe e ka komplikuar çështjen edhe më shumë duke treguar se edhe atyre që do të kompensohen, një kompensim do tu bëhet diku vetëm 20 për qind të dëmit të shkaktuar.

“Diku 20 për qind do t’u jepen familjeve të dëmtuara apo bizneseve dhe jo më shumë. E Komuna s’ka mundësi ta kompensojë pjesën tjetër të dëmit”, ka thënë ai.