Analizë ligjore

Kush duhet ta mbrojë Kushtetutën nga Gjykata Kushtetuese?

Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese ia huq me të madhe.

Megjithatë, një huqje e madhe, me përplot kundërthënie, ishte edhe aktvendimi ndaj kërkesës së presidentit për interpretim të nenit 139, paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në cilësinë e parashtruesit të kërkesës, Thaçi i kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese pyetjen e thjeshtë: ”Nga cilat grupe parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës apo nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”.

Këtë kërkesë, pas afër gjashtë muaj pritjeje, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur ta deklaronte si të papranueshme. (Aktvendimi për papranueshmëri në rastin K079/18, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. ref: RK 1294/18, 3 dhjetor 2018, në rastin nr. K079/18).

Bazuar në këtë aktvendim të përçudnuar për papranueshmëri, Gjykatës Kushtetuese gjoja i është kufizuar mundësia që të marrë rol konsultativ apo këshillëdhënës, sepse ky rol do të binte ndesh me rolin e saj themelor për vendosjen e rasteve të ngritura para saj.

Ndërsa, po në këtë aktvendim, theksohet se “praktika e vendeve të tjera njeh raste kur gjykatat kushtetuese kanë ushtruar juridiksion këshillëdhënës, por më vonë një praktikë e tillë e juridiksionit të natyrës konsultative është hequr për shkaqe të inkompatibilitetit të saj me natyrën vendimmarrëse të gjykatave kushtetuese”, transmeton Ballkani.info.

Gjykata Kushtetuese shkon madje edhe më tutje dhe merr shembullin e Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Ligjin për Gjykatën Federale Kushtetuese, e cila në fillet e ekzistimit të saj kishte paraparë mundësinë e dhënies së mendimeve këshillëdhënëse (Ligji për Gjykatën Federale Kushtetuese të Gjermanisë, BVerfGG, i 12 marsit 1951).

Megjithatë, vetëm disa vite më vonë, për shkak të natyrës detyruese të “mendimeve këshilluese”, dispozita e ligjit të lartcekur, që lejonte një juridiksion të tillë, ishte shfuqizuar (më 21 korrik 1956).

Shumë pak muaj më parë, institucionet e vendit ishin krekosur me emërimin e gjyqtarëve të rinj, përkundër dyshimeve të caktuara rreth papastërtisë në biografitë e tyre, e cila tashmë për herë të parë po vepronte në përbërje të plotë me gjyqtarë vendorë. Por, pa kaluar as tre muaj prej mburrjeve me “vendorizimin” e Gjykatës Kushtetuese, po kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese thotë se nuk është në natyrën vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese të ketë edhe rol konsultativ apo këshillëdhënës.

Mjerimi i parë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata harron rolin themelor të saj, të përcaktuar në Kushtetutë (Neni 4.6 dhe Neni 112.1.): Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Një pyetje e logjikshme: Si mund ta mbrojë kushtetutshmërinë Gjykata Kushtetuese dhe si mund të bëjë interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, pa ushtruar edhe juridiksion këshillëdhënës? Aq më tepër në një vend të ri siç është Kosova, me probleme të shumta në fushën e interpretimit të Kushtetutës. Dhe assesi nuk mund të krahasohet me vendet, siç është Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë me një përvojë të madhe shtetformuese, edhe pse edhe ajo për një kohë të gjatë ka dhënë mendime këshilluese. Me këtë aktvendim, Gjykata Kushtetuese e ka ngushtuar rrethin e punës së vet dhe i është shmangur tërësisht përgjegjësisë së saj kushtetuese.

Mjerimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila e kishte shpallur të papranueshëm kërkesën për interpretim, çuditërisht e kishte pyetur krejt botën me shpresë që po ia ndreqin punët në vendin e vet.

Në njërën anë e deklaron kërkesën të papranueshme, në tjetrën për të njëjtën çështje Gjykata Kushtetuese i kishte parashtruar pyetje edhe Forumit të Komisionit të Venecias më 25 shtator 2018, si dhe nga datat 26 shtator – 29 tetor 2018, Gjykata Kushtetuese kishte pranuar përgjigje nga Gjykatat Kushtetuese, përkatësisht Gjykatat Supreme të trembëdhjetë shteteve (Austrisë, Holandës, Sllovakisë, Kroacisë, Luksemburgut, Irlandës, Lituanisë, Bullgarisë, Afrikës së Jugut, Norvegjisë, Çekisë, Gjermanisë dhe Letonisë – shihni pikën 16 dhe pikën 17), shkruan Ballkani.info.

Nëse Gjykata Kushtetuese e kishte ditur që i është kufizuar mundësia që të marrë rol konsultativ apo këshillëdhënës, sepse ky rol do të binte ndesh me rolin e saj themelor për vendosjen e rasteve të ngritura para saj, atëherë pse i ishte drejtuar Forumit të Komisionit të Venecias dhe trembëdhjetë shteteve (sigurisht numri është më i madh, por këto janë shtetet që i janë përgjigjur)?

Ky fakt tregon që pasi nuk kanë pasur fare njohuri përkatëse ata që e kanë trajtuar këtë lëndë, Gjykata Kushtetuese ka gjetur alternativën më të lehtë, duke i hequr telashet me “mbulesën” e saj.

Mjerimi i tretë i Gjykatës Kushtetuese
Ky mjerim i tyre reflektohet edhe në pikat 40 dhe 41 të Aktvendimit, ku thuhet: “Bazuar në përgjigjet e Gjykatave Kushtetuese/Supreme, të dorëzuara përmes Forumit të Komisionit të Venecias, vërehet se dispozitat e kushtetutave të këtyre shteteve nuk parashohin një përkufizim për grupet parlamentare. Po ashtu, bazuar në përgjigjet e Gjykatave Kushtetuese/Supreme, të dorëzuara përmes Forumit të Komisionit të Venecias, rezulton që në shumicën e këtyre shteteve, Komisionet Qendrore Zgjedhore janë Komisione të përhershme dhe profesionale që përbëhen nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme, atyre qeveritare dhe të gjyqësorit. Ndërkaq, në disa raste janë të përbëra nga anëtarë që propozohen qoftë drejtpërsëdrejti nga partitë politike, apo nga grupet parlamentare të përfaqësuara në Parlament”, thuhet në këtë aktvendim.

Sipas kësaj logjike, kjo i bie: meqë ata nuk paskan ndonjë mekanizëm siç e kemi ne Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe meqë ata nuk parashohin një përkufizim për grupet parlamentare, atëherë as ne nuk kemi nevojë që të kemi.

Dhe përderisa nuk ka gjetur ndonjë përgjigje të gatshme nëpër botë, atëherë ata është dashur gjithsesi të marrin përgjigje të gatshme dhe i kanë gjetur në rrjetet sociale, duke i marrë tërësisht “copy past” edhe dispozitat e vendimit nga një postim i bërë prej një deputeti opozitar.

Mjerimi i katërt i Gjykatës Kushtetuese
Gjykatë Kushtetuese, lexoni nenin 112, paragrafi 2, thotë: Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.

Ndërrimi i juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese me aktvendim, po ashtu një padituri tjetër e radhës, e theksuar në aktvendimin për papranueshmëri nr. ref: RK 1294/18, është referimi në aktgjykime.

Me këtë referim (shikoni pikën 69 të Aktvendimit), Gjykata Kushtetuese e demanton veten, sepse nga praktikat e deritanishme duhet të nxjerrë aktgjykime dhe jo aktvendime kur dëshiron të ndërrojë jurisprudencën e saj. Në rastin konkret, ajo e ka ndërruar jurisprudencën me aktvendim.

Ka mjaftuar Gjykata Kushtetuese që t’i shoh divergjencat në komentet lidhur më çështjen e interpretimit të nenit 139 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilat i kanë dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Partia Socialdemokrate dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese me mangësi të mëdha profesionale
Duke marrë parasysh të gjitha argumentet e mësipërme, mund të konstatohet se Aktvendimi për papranueshmëri (nr. ref: RK 1294/18, 3 dhjetor 2018, në rastin nr. K079/18) i Gjykatës Kushtetuese është skajshmërisht i varfër profesionalisht dhe me të është vendosur një precedent i rrezikshëm në mbrojtjen e kushtetutshmërisë në Kosovë.

Dikush aty edhe mund të ketë dashur të luajë rolin e ndonjë fëmije të llastuar dhe të dëshmohet se mund të refuzojë kërkesën për interpretimin të kreut të shtetit, por me këtë ka dëshmuar vetëm papjekuri profesionale, duke u përpjekur të ndërrojë juridiksionin e saj që sjellë pasoja të mëdha në aspektin e kushtetutshmërisë.

Madje, me këtë aktvendim, edhe vetë Gjykata Kushtetuese mund të thuhet se e ka shkelur Kushtetutën.

Neni 4, paragrafi 3 i Kushtetutës përcakton qartë se: Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë. Garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë.

Po ashtu, Neni 84 (Paragrafi 2) [Kompetencat e Presidentit], i Kushtetutës përcakton qartë: “Presidenti i Republikës së Kosovës garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë”, si dhe paragrafi 9 i Nenit 84 të Kushtetutës, përcakton që Presidenti i Republikës së Kosovës “mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese”.

Atëherë, me qëllim të garantimit të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, presidenti si palë e autorizuar që të ngreh çështje në Gjykatën Kushtetuese, ka të drejtë ta bëjë këtë për të gjitha çështjet që përkojnë me funksionin e presidentit, sepse me Kushtetutë është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë mënyrë, nuk është dhe nuk duhet të jetë në diskrecion të Gjykatës Kushtetuese të ndërrojë juridiksionin, sipas tekeve dhe rasteve të ngritura, për të vendosur për pranimin ose jo të rasteve të përcaktuara me Kushtetutë./Ballkani.info/