Kush do t’ia zë vendin kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

Të premten ka përfunduar konkursi për Kryeprokuror të Shtetit, kërkohet transparencë në proces.

Detyrën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale e mori para më shumë se 2 vitesh.

Por Blerim Isufaj, ambicien e ka më të lartë se kaq.

Të enjten ky dorëzoi aplikimin për të kandiduar për pozitën më të lartë në organin e ndjekjes, atë që aktualisht e mban Aleksandër Lumezi.

Homologun e tij në Prokurorinë Themelore do e ketë kundër-kandidat në garë.

Edhe kryeprokurori i Themelores në Prishtinë konfirmoi pjesëmarrjen në garë.

Garës mes dy kryeprokurorëve iu bashkëngjit edhe Prokurori në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Madje Armend Hamiti thotë se është i gatshëm të ballafaqohet me programe me të dy.

Pos këtyre, edhe prokurorët Arben Ismajli, Lulzim Sulejmani dhe Shqipdon Fazliu janë bërë pjesë e garës.

Ndonëse ka përfunduar aplikimi në orën 16 të së premtes , kandidatët mund t’i dorëzojnë dokumentet edhe me postë deri me datë 7 shkurt.

Nga shoqëria civile kërkojnë transparencë të lartë në këtë proces shumë të rëndësishëm.

Mandati 7-vjeçar i Kryeprokurorit aktual të Shtetit, Aleksandër Lumezi, do të përfundojë më 21 prill 2022.

VIDEO