Kush do të jetë në listën e LDK-së për deputetë, tregon Lutfi Haziri

Shtabi zgjedhor i LDK-së është duke koordinuar të gjitha aktivitetet me degët dhe strukturat tjera partiake që të ketë një përfaqësim sa më të mirë në listë me kandidatë për deputetë dhe të fitojë zgjedhjet e 6 tetorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kështu thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i cili shprehet edhe i bindur se me listën për deputetë që do ta përfundojnë deri te premten, në krye me Vjosa Osmanin, do të dalin fitues në zgjedhjet e parakohshme.

“Shtabi zgjedhor i LDK-së tash është duke koordinuar të gjitha aktivitetet me degët, me strukturat apo politikën strukturore siç e quajmë. Kemi finalizuar propozimet, nominimet dhe kandidaturat prej komunave. Po presim tash t’i finalizojmë nominimet dhe kandidaturave prej grupeve dhe sektorëve që përfaqësojnë politika sektoriale dhe sukses në Republikën tonë dhe në fund besojmë shumë që LDK-ja të premten do të dalë me një listë fituese, një ekip i madh i LDK-së i cili do të mbështetë kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, për t’i fituar zgjedhjet e 6 tetorit”, ka thënë Haziri.

Ai thotë se kanë vendosur edhe kritere në përzgjedhjen e kandidatëve që do ta përfaqësojnë LDK-në në këto zgjedhje, ndonëse nuk saktëson nëse në listë nuk do të fusin kandidatë që kanë të ngritura aktakuza apo probleme me ligjin.

Sipas Hazirit, LDK-ja nuk ka telashe të tilla dhe do të vazhdojë me parimin e qeverisjes me duar të pastra dhe në bashkëpunim e të hapur me qytetarët.

“LDK-ja e ka një listë përfaqësuese. Burra, gra dhe njerëz me autoritet që përfaqësojnë suksesin, që në CV e kanë suksesin, që përfaqësojnë besimin në shtet, në familje e në Zot. Sepse ky shtet, kjo republikë e re është nëpërkëmbë, është nëpërkëmbë jo vetëm dinjiteti i qytetarit, por edhe aspirata. Parimet që kemi vendosur ne janë parimi i derës së hapur, është parim i komunikimit me qytetarë. Parimi i duarve të pastra, është parimi i qeverisjes me qytetarin”, ka thënë ai në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.

Shefi i Shtabit të LDK-së, Lutfi Haziri ka shtuar se me unitetin e krijuar në LDK me 3 gusht dhe me kandidimin e Vjosa Osmanit do të kthejnë shpresën tek të rinjtë e gjithë qytetarët e Kosovës, se Republika e Kosovës do të mbrohet.

“Kosova hyn në një fazë të re, në një dhjetë vjeçar të ri, për të cilin ne do të punojmë shumë që shteti të bëhet me dije, të ruhet me nderë dhe shteti të zhvillohet në parimin e mikut të mirë dhe miqësisë së përhershme me ShBA-në dhe me kulturë perëndimore”, është shprehur ai.

Kujtojmë se dita e premte është afati i fundit kur koalicionet e partitë politike duhet të dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat me emrat e kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin e Kosovës. Por deri më tani, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ende asnjë nga subjektet nuk ka dorëzuar ndonjë listë. Subjektet politike mund të fusin në listat e tyre zgjedhore vetëm deri në 110 kandidatë.

loading…



Chat conversation end
Type a message…