Kush do ta zëvendësojë Kurtin nëse nuk i lejohet kandidimi, ja emrat e mundshëm

Vetëvendosje, sipas interpretuesve të aktgjykimit të Kushtetueses, mund të shkojë në zgjedhje pa burimin e saj më të madh të votave. Njohësit e çështjeve juridike po pretendojnë se aktgjykimi ia ndalon Albin Kurtit të kandidojë për deputet. Vendimi i Kushtetueses, me apo pa dashje, mund ta detyrojë Vetëvendosjen ta zgjedhë pasuesin e Kurtit brenda apo jashtë partisë.

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë Vetëvendosjes në ankesën e saj për votën e deputetit Etem Arifi, i cili edhe pse kishte dënim të formëa së prerë, ka votuar Qeverinë e  Avdullah Hotit. Por, i njëjti aktgjykim ka konstatuar se më tutje nuk do të mund të kandidojnë për deputetë personat e dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri vitet e fundit. Kurti ka një dënim të tillë dhe në shtator i bëhen tri vjet.

Kush do të ishte bartës i listës, nëse Kurti nuk ceritifikohet si kandidat për deputet?

Analisti Rron Gjinovci ka thënë dje në Pressing se bashkëpunëtori i Kurtit, Glauk Konjufca, mund t’i prijë listës.

“Është e ditur që listës do t’i prijë dikush që nuk e kam shumë favorit, e nuk ka kush tjetër. Është Glauk Konjufca”, tha Gjinovci.

Konjufca edhe mund të jetë bartës i listës në zgjedhjet që janë caktuar të mbahen më 14 shkurt. Megjithatë, nuk do të thotë se patjetër bartësi i listës duhet të vijë brenda partisë.

Një nga emrat jashtë VV’së që mund ta udhëheq VV’në në zgjedhje është zonja që po bart dy nga tri pozitat më të rëndësishme në shtet, Vjosa Osmani. Kështu mendon analisti Fitim Salihu.

“Është e vështirë të thuhet sepse në rast se Kurti nuk ka të drejtë të kandidojë, atëherë në lojë hynë shumë kombinatorika në mënyrë që të minimizohet dëmi që do t’ia shkaktonte Vetëvendosjes moskandidimi i liderit të saj. Emra të shumtë mund të ketë nga radhët e Vetëvendosjes si bartës i listës. Madje, bartëse liste mund të jetë edhe Vjosa Osmani, duke parë se e gëzon simpatinë e votuesit të Vetëvendosjes”, ka thënë Salihu.

Ndërsa, Kreu i VV’së, Albin Kurti akoma nuk është deklaruar rreth aktgjykimit. Dje në një prononcim për ka thënë se nuk e ka lexuar akoma të plotë aktgjykimin e Kushtetueses dhe se nuk i komenton deklaratat e atyre që thonë se mund ose nuk mund të kandidojë.

“Unë nuk dua t’i komentoj e interpretoj komentet e interpretimit të interpretimeve. Ne do ta japim qëndrimin tonë. Lëvizja Vetëvendosje pos që është subjekti më i madh në vend por ka shumicën e popullsisë së Kosovës në mbështetje të qartë”, deklaroi tutje Kurti në një prononcim për Rtv Dukagjinin.

Megjithatë, të tjerët në Vetëvendosje thonë se Kurti do t’i prijë listës zgjedhore të partisë. Anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kurti, si prijës, do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore.

“Këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja VETËVEVDOSJE!, listës që do t’i prijë Albin Kurti do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, pas publikimit të aktgjykimit.

Aktgjykimi i Kushtetueses thotë se kushdo që në tri vjetët e fundit është dënuar për çfarëdo vepre penale, nuk mund të kandidojë në zgjedhje. Për një vepër penale është gjetur i fajshëm Albin Kurti në vitin 2018. Ai me dy deputetë të tjerë u vërtetua në gjykatë se kishin lëshuar gaz lotsjellës në Kuvend.

“Gjykata Kushtetuese, ne mbeshtetje te nenit 113, paragrafi 5, te Kushtetutes, neneve 42 dhe 43 te Ligjit per Gjykaten Kushtetuese dhe ne mbeshtetje te rregullave 59 (1) dhe 74 te Rregullores se punes, me 21 dhjetor 2020, njëzëri:

TE KONSTATOJE se, ne baze te nenit 71.1 te Kushtetutes te Republikes se Kosoves, ne nderlidhje me nenin 29.1 (q) te Ligjit per Zgjedhjet e Pergjithshme, personi i denuar perveper penale me nje vendim gjyqësor te formes se prere ne tri (3) vitet e fundit, nuk mund te jete kandidat per deputet e as te fitoje mandat te vlefshem ne Kuvendin e Republikes se Kosoves;”