Kusari zbulon bisedën me një turk në Gjermani: Ika nga Kosova, frikohesha nga Presidenti juaj

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, më 29 mars 2018 – i cili është vlerësuar të jetë bërë ilegalisht dhe për të cilin është fajësuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi – ka tmerruar shumë një tjetër turk në vend.

Ai ka ikur nga Kosova, nga frika prej presidentit të vendit, dhe ka shkuar në Gjermani. Kështu i ka thënë vetë ai juristes së të drejtës së mediave, Flutura Kusari, të cilën e ka takuar në qytetin gjerman të Lajpcigut.

Shtetasi turk në Kosovë punonte si mësues, në një institucion privat arsimor, që thuhet të jetë e financuar nga lëvizja e klerikut turk, Fethullah Gylen, armik i presidentit aktual turk, Recep Tayyip Erdogan.

“E kam lënë punën si mësues në Kosovë, në Mehmet Akif, pasi që presidenti juaj i kidnapoi dhe ia dorëzoi presidentit tonë kolegët e mi mësues”, i ka thënë turku Kusarit.

“U frikësova që më deporton edhe mua dhe familjen time. Tash po i pres letrat këtu në Gjermani dhe ndërkohë po punoj si shitës. Shyqyr Allah që kam gjetë punë”, ka treguar Kusari t’i ketë thënë turku.

Ajo ka thënë se këto fjalë, shtetasi turk ia ka thënë pasi e ka dëgjuar duke folur shqip në telefon, teksa po bënte pazar.