Kusari me ironi: Ky është propozimi që ia bëra Arben Gashit

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka treguar se ia ka bërë një propozim shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ajo tha se i ka propozuar Gashi që të bëhet zëdhënës i Vetëvendosjes, pasi sipas saj, Gashi është i obsesionuar me Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes dhe vazhdimisht bën komente lidhur me zhvillimet brenda grupit.

“Duket se z. Gashi e ka një obsesionim me Grupin Parlamentar të Vetëvendosje. Unë bile i kam propozuar që nëse është i interesuar mund të marrë pozitë të përfaqësuesit të grupit në kuptimin e zëdhënësit sepse merret vazhdimisht me komente se çfarë ndodh brenda në grup. Deklaratat e tij janë absolutisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme”, ka thënë ajo për RTV21.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi të mërkurën tha se në vjeshtën e vonshme pritet të ketë rënie të Qeverisë Kurti 2, pasi sipas tij si shenjë e pakënaqësisë, tetë deputetë të koalicionit qeverisës pritet të kalojnë në LDK.