Kusari-Lila tregon pse partia e saj është kundër tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti

Deputetja e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, ka treguar se pse partia e saj është kundër tërheqjes së 10 përqindëshit të parave të Trustit.

Ajo kritikoi qeverinë aktuale, duke thënë se kjo ide nuk do të ketë ndikim në afatin afatmesëm dhe afatgjatë dhe se nuk do të bëjë zgjidhjen të cilën kjo qeveri po e proklamon.

“Kjo Qeveri, në situatë krize sikur askund në botë, ka vendosur që qytetarëve t’u ofrojë mundësinë që me mjetet e veta të dalin nga kriza. Në aspektin parimor kjo është e gabuar dhe në aspektin qeverisës është e papërgjegjshme”, tha Kusari-Lila për Klan Kosovën.

“Ne aspektin afatmesëm dhe afatgjatë ekonomik nuk do të ketë ndikim, në të kundërtën do të rrezikojë një sistem i cili është i dizajnuar që t’u shërbejë qytetarëve të moshës mbi 65 vjeçare dhe nuk do të bëjë zgjidhjen të cilën kjo qeveri po e proklamon. Vet Pakon e Rimëkëmbjes e shohim si joserioze dhe shumë të mangët”, shpjegon ajo.

“Vërejmë se kërkesat e qytetarëve janë të larta, po ashtu edhe pritjet janë shumë të larta edhe nga komuniteti i biznesit, por fatkeqësisht jemi te bindur se edhe në rast se ligji do të kalojë, efekti nuk do të jete ai i pritshmi”, deklaroi Kusari-Lila.