Kusari-Lila tregon pse iu bë kallëzimi penal

Kandidatja e VV-së për komunën e Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se kallëzimi penal ndaj saj që është bërë sot nga AAK-ja, është vetëm për fushatë zgjedhore.

AAK ka bërë kallëzim penal ndaj Kusari Lilës. Në kallëzimin penaI të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, AAK-ja po pretendon se Kusari-Lila e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në kohën sa ka qenë në krye të Komunës së Gjakovës.

Sipas kallëzimit penaI, me vendimin e 25 marsit 2014, Kuvendi i Komunës së Gjakovës kishte marrë vendim për shpalljen e interesit publik për pronat private në dobi të Komunës së Gjakovës, për realizimin e projektit të rrethrrotullimit, në kryqëzimin e rrugëve “Tirana” dhe “Skënderbeu”, në parcelat e evidentuara në emër të familjes Bakija.

Tutje thuhet se, Kusari-Lila duke qenë në cilësinë e kryetares së Komunës së Gjakovës, ka arritur marrëveshje me familjen Bakija edhe pse jo në formë të shkruar, por se në bazë të dokumentacionit vërtetohet një gjë e tillë, ashtu që kompromisi është arritur për zhvendosjen e rrethrrotullimit, me ç’rast është krijuar hapësira e konsiderueshme në favor për familjen Bakija, respektivisht është shtuar sipërfaqja prej 930 metra katrorë.

Kusari Lila i është kundërpërgjigjur këtyre akuzave në emisionin Pressing në T7.

“Shiko, është qesharake. Familja Bakija është në kumari me Ramush Haradinajn. Janë familjarë të Burbuqe Bakija, pjesë e AAK-së. Rrethrrotullimi ka qenë i buxhetum prej kohës së AAK-së në mënyrë që të zgjerohet rruga drejt Prizrenit. Ka pasur shpronësim, ndër to edhe familja Bakija. Është marrë vendim që të zhvendoset rrethrrotullimi pasi ka pasur lëvizje të relievit. Cka ka bërë Gjini është patetike dhe dëshpëruese. Për të njëjtin objekt ka aktakuzë dhe gjykim me burgim ai i mban zyrtarët aty ende. Thirret në një letër që ia kam dërguar ministrit Lutfi Zharku në atë kohë për zhvendosje. Por ai e lë atë ndërtim aty tyre katë më të lartë dhe përsëri i del punë me rrethrrotullimin tim. Kaq kam për të thënë. Paramendoni, ka qenë 4 vjet kryetar dhe tash i bjen në mend 1 javë para zgjedhjeve kur i kanë dalur disa skandale si ajo me naftën e vjedhur”, përfundoi ai.