Deputetja e Kuvendit të Kosovës, në radhët e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për taksën doganore 100 për qind, që Kosova e ka vendosur për produktet e Serbisë dhe të Bosnje dhe Hercegovinës. Sipas saj, ky vendim i Qeverisë është i domosdoshëm dhe mekanizmi i vetëm për ta kushtëzuar Serbinë.
Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se reagimet e Federica Mogherinit për taksën 100 për qind, janë të njëanshme.
“Reagimet e Bashkimit Evropian, janë të njëanshme. Janë reagime të cilat nuk mund të vlerësohen ose të maten në këtë moment, në rrethanat e krijuara në Kosovë si të barabarta ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë. Serbia ka bërë shumë më tepër dëme ndaj Kosovës dhe asnjëherë nuk ka kërkuar Federica Mogherini që menjëherë Serbia të ndalë diplomacinë negative, që të ndalë problemet dhe pengesat që ia shkakton Kosovës, ose të jetë shumë më e zëshme ndaj kërcënimeve që qarqet e caktuara serbe i kanë bërë pjesëtarëve të komunitet serbë në FSK, dorëheqjet e masive, e çështje të tjera’, theksoi Kusari-Lila.
Ajo thotë se prodhuesit kosovarë do të përfitojnë nëse kjo masë nuk do të ndërpritet. Kusari-Lila thotë se pas vendosjes së kësaj mase, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ka kuptim.
Kusari-Lila shprehet se arrestimet në veri të Mitrovicës, janë të lidhura me taksën që Qeveria e Kosovës i ka vendosur Serbisë dhe janë bërë me urdhër të presidentit Thaçi.
“ Është i domosdoshëm konsensusi politik në Kosovë, në veçanti i forcave politike shqiptare, për arsye se vendosja e objektivave të qarta dhe përcaktimit të platformës dhe së fundmi edhe një ekipi negociator, është interes nacional. Nuk ka të bëjë me çështje të partive në pushtet ose opozitë. Në cilën do rrethanë, edhe nëse ndryshohen vendet e pozitës, kalon në opozitë, dhe opozita kalon në pozitë, prapë që të gjithë akterët së bashku duhet të jenë në procesin e marrëveshjes finale me Serbinë”, tha ajo./REL







