Kusari-Lila: LDK ka mbetur pa asnjë argument, po e luan rolin e viktimës!

Deputetja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës ishte shpërfaqja më e çoroditur e një partie që pushtetin e mori me pazare e me pazare po mundohet ta mbaj.

Sipas saj, në ditën kur tema ishte për të pagjeturit, Avdullah Hoti tentoi t’i ik përgjegjësisë duke fyer dhe duke u larguar nga salla pas vetëm 10 minutave në seancë.

Tutje, Kusari-Lila thotë se GP i LDK-së duke e parë se nuk kanë mbetur më me asnjë argument për t’u mbrojtur, filluan të bëjnë atë që e bëjnë më së miri, të luajnë rolin e viktimës.

“Të mbulosh papunën dhe dështimin në negociata me Serbinë për temën e të pagjeturëve, duke i përmendur viktimat e pasluftës, është ligësi, dobësi dhe abuzim i ripërsëritshëm me fatin e tyre.

Të shkosh deri tek qëndrimet për figurat e luftës së dytë botërore është dëshprim dështakësh. Ndërsa, të shkelësh mbi sakrificën, vuajtjen dhe ankthin e familjeve të viktimave dhe të pagjeturve, përfshirë ofendimin dhe fyerjen ndaj Saranda Bogujevcit është stadi i fundit i degjenerimit moral i një grupi “politikanësh” që verbërisht vrapuan pas pushtetit.

Seanca e djeshme ishte e dobishme për një gjë: tregoi deri ku janë në gjendje të shkojnë kjo kastë politike për të mbrojtur pozitat e veta. Ata janë në gjendje që në vazhdimësi të reciklojnë temën e viktimave të pasluftës, sa herë ju duhet për të fitu ose për të mbajt pushtetin. Por, për gati 20 vite sa kanë qenë në pushtet, as edhe një përpjekje serioze nuk e kanë bërë për të zbardhë vrasjet e bashkëpunëtorve të tyre.

Dje dhe sot, ata nuk e lënduan Sarandën dhe as kauzën e saj. Ajo sot është më e fortë dhe më e përcaktuar në rrugëtimin e saj. Saranda jetoi për të treguar dhe për t’u bërë rrëfimi i gjallë i tmerrit të luftës në Kosovë.

Ata që e dyshojnë këtë do mbesin përjetësisht të turpëruar.  meSaranden”, ka shkruar ajo.