Kusari-Lila: Është për keqardhje qasja që sot të ndërrohet e vërteta, ajo që ka ndodh më 2015

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është për keqardhje qasja që sot të ndërrohet e vërteta, ajo që ndodhi në vitin 2015.

Sipas saj historia nuk është aq e largët për të ju kthyer te deklarimet e krerëve të PDK-së.

Ajo ka shprehur keqardhje për pamjet e sotme në Kuvend.

“Me keqardhje sot ishim dëshmitarë të një sjellje joparlamentare të papranueshme. Seanca e sotme ka filluar me tension. Qasja që sot të ndërrohet e vërtetë, ajo që ka ndodh më 2015, është për keqardhje. Historia nuk është aq e largët për të ju kthyer te deklarimet e krerëve të PDK-së. Kuvendi ka qenë arenë e dramave edhe më herët. Ka pas raste kur deputetë të pozitës që kanë qenë kanë akuzuar për vrasje e pastaj kanë vazhduar të bashkëqeverisin”, ka thënë Kusari-Lila në konferencë.

Ajo ka thënë se nuk mund të përsërit fjalët që deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi i ka drejtuar kah deputetët. Ka treguar edhe se pati shtyrje, por për fat të mirë nuk pati përleshje. Ndërsa ka treguar se ka dëgjuar sharje e fyerje.

“Nuk mund të them fjalët që deputeti Memli Krasniqi i ka drejtuar kah deputetët, britmat e tij, sharjet e ofendimet nga vendi janë diçka e padëgjuar në Kuvendin e Kosovës. Në dalje deputetët i intensifikuan ofendimet, sharjet dhe z. Peci është ngrit në këmbë për t’i ndalë. Z. Peci është ngrit në këmbë me i dalë në mbrojtje. Fatmirësisht nuk ndodhi përleshja, ka pas shtyrje. Aty nuk e kam dëgjuar saktë, por kam dëgjuar që ka pasur fyerje e sharje vazhdimisht. Rikthehemi në seancë në ora 14:00. Ofendimet dhe cinizmat që i bëhen udhëheqësve nuk janë për herë të parë”, ka thënë Kusari-Lila.