Kusari-Lila e quan “dush të ftohtë” refuzimin e VV-së për koalicion parazgjedhor me Alternativën

“Dush i ftohtë”, ishte refuzimi i VV-së për koalicion parazgjedhor me Alternativën, thotë kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila.

Në Rubikon të KTV-së, Kusari-Lila, që më pas garoi si pjesë e listës së VV-së dhe arriti të bëhej deputete, ka thënë se këtë parti nuk e ka lëshuar askush për shkak që ajo hyri në listë.

“Mosrealizimi i koalicionit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike ka bërë që VV ta ketë vendimin që të shkojë e vetme në zgjedhje por pa përjashtuar përfaqësues të partive tjera nën llogon e tyre. Kjo ishte edhe biseda e fundit që e kam pasur me Albinin në kohën kur kishte ende kohë për koalicion”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV-së.

“Kjo natyrisht se ishte një dush i ftohtë për atë moment sepse mundohesh dhe punon për partinë. Alternativën nuk e ka lëshuar askush për këtë vendim, kanë qenë ata që në fakt janë distancuar prej kohës kur edhe është bërë distancimi i Ilirit (Deda) vetë nga Alternativa si rrjedhojë e mosrealizimit të një marrëveshje për ekipin e dialogut, për çka edhe ka qenë insistimi i tij i vazhdueshëm në bashkëpunimin me PSD-në, domethënë ka ekzistuar ajo ftohje prej asaj periudhe dhe pastaj është zyrtarizuar kur është publikuar lista jonë me VV-në”, ka deklaruar më tej ajo, për largimin e bashkëthemeluesit të partisë.