Kusari- Lila e quajti Hotin si “gratë e këqija”, i kundërpërgjigjet Kuçi

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, i ka reaguar deputetes Mimoza Kusari-Lila, rreth deklaratës në të cilën kjo e fundit e ka quajtur Kryeministrin Avdullah Hoti “si gratë e këqija”.

Kuçi ka shkruar në Facebook se Kusari-Lila është gruaja tipike që përvetëson diskursin diskriminues e shtypës si mjet për të arritur pushtetin.

“Mimoza është gruaja tipike që e përvetëson diskursin diskriminues e shtypës si mjet për të arritur pushtetin. Derisa ende merr vota në emër të grave, kundërshtarët i quan “gra të këqija”. Ku me “grua” i referohet tipareve të dobësisë, ligësisë etj”, ka shkruar Kuçi.

Kuçi i është referuar deklaratave të Kuasai-Lilës dhënë në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

Kusari-Lila ka deklaruar se Kryeministri Hoti ka lëshuar në Kuvend fjalë “si gratë e këqija”.

“Ne e patëm rastin në të cilin për gjashtë muaj kanë qenë njerëz të cilet nuk e kanë idenë si është qeverisja, e para, e dita jo që nuk diojnë, por kanë problem bazike me e kuptu funksionimin e shtetit. Unë po them të drejtën, ne edhe pse u shndërruam në rivalë politik me LDK’në dhe vetë zotin Hoti, në fakt jam e befasume me paaftësinë e tij për me ofru çfarëdo ideje për dalje nga kriza ekonomike, çfarëdo vullneti për bashkëpunim, me tregu atë nivel të arrogancës e me u fshehë nën petkun e njeriut të urtë dhe të sjellshëm, me ardhë në Kuvend me lëshu fjalë si gratë e këqija edhe me dalë mos me i duru kritikat e opozitës”, ka thënë Kusari-Lila.