Kusari-Lila e hapur për të garuar për Gjakovën: Do të bisedoj edhe me Kurtin

U.d. e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se është e hapur të garojë përsëri për postin e kryetares së Gjakovës.

Kusari Lila ka qenë kryetare e Gjakovës prej vitit 2013-2017 derisa e kishte fituar këtë komunë si pjesë e AKR-së.

Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 ajo u mposht nga kandidati i AAK-së, Ardian Gjini. Gjithsesi Kusari Lila ka thënë se mund të provojë prapë nëse i lejohet nga partia.

“Do të bisedoj edhe me z. Kurti”, ka thënë ajo.

Kusari Lila është ende kryetare e Alternativës, parti të cilën e kishte themeluar së bashku me Ilir Dedën në kohën sa kjo e para ishte ende kryetare e Gjakovës. Në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale Kusari Lila kandidon si deputete në listën e VV-së dhe është pjesë e grupit të tyre kuvendar.

Ajo është zgjedhur ushtruese e detyrës së shefes së Grupit të VV-së në Kuvend por që nuk mund të bëhet shefe pasi këtë nuk e lejon statuti i VV-së.