Kryetarja e Alternativës

Kusari-Lila: Do të kemi më shumë se 61 deputetë bashkë me LDK-në

Kryetarja e Alternativës, njëherësh kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se “sikur LDK-ja të kërkonte tash kryeministrin, do të humbte shumë në elektorat. Sikur të kërkojnë sërish kryeministrin, do të linte të kuptohet se nuk po e duan LVV-në në pushtet”.

Ajo foli edhe për pritjet e qytetarëve për një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së.

“Sa herë që ka pasur marrëveshje pa program por për poste, është shtuar dëshpërimi në Kosovë. Është hera e parë që një marrëveshje, shpresoj, të arrihet e bazuar në program. Por, pritjet e mëdha mund të sjellin dëshpërim. Për gjashtë muaj nuk do të ndryshojë asgjë në Kosovë. Por, duhet të kalojmë në për këtë proces. Kurti në këtë rast e ka privilegjin dhe përgjegjësinë që të hyjë në histori si kryeministri më reformator që hap një kapitull të ri të Kosovës”, u shpreh ajo në KTV.

Kusari-Lila tha se Kurti ka premtuar zvogëlim të qeverisë, pastaj ka përmendur reformat, marrjen e përgjegjësisë për dialogun, rishikimin e të gjitha marrëveshjeve me Serbinë, e të tjera.

“Reformat në ekonomi do të përfshijë boshtin e ndryshimeve. Nëse flasim vetëm për dialogun, s’duhet të humbet fokusi nga çështjet tjera. Por duhet të ketë reforma brenda. Qeveria Kurti nuk guxon të humbë fokusin, duke thënë se po merrem me dialogun e të lë anash tjerat. Planet në kuadër të programit qeverisës janë planet për ndryshime të ligjeve. Duhet shumë punë në komisione të Kuvendit”, tha Kusari-Lila.

Ish-kryetarja e Gjakovës u shpreh e bindur se me numërimin e votave të diasporës, votat për LVV-në dhe LDK-në do të rriten, duke tejkaluar numrin 61 të deputetëve, të nevojshëm për votimin e Qeverisë së re.

“Me votat e diasporës dhe me votat me kusht, do të kemi më shumë se 61 deputetë bashkë me LDK-në. Do të ketë dinamikë ndryshe të Kuvendit. Premtimet me të cilat janë fituar zgjedhjet duhet të realizohen – duhen ndryshuar ligjet. Është ligji i Buxhetit e shumë ligje tjera, që duhen ndryshuar”, tha ajo.

loading…