Kusari-Lila: Ata që e votuan Gjykatën Speciale po krijojnë kauzë të rreme ndaj zyrtarëve të Qeverisë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për media pas seancës së Kuvendit ku pati përplasje ndërmjet deputetëve, ka deklaruar se kjo është e papranueshme.

Kusari-Lila deklaroi se deputetët e PDK-së kanë ofenduar e fyer ministren e Jashtme, Donika Gërvalla.

“Seanca ka filluar me tension, tensioni dhe gjuha parlamentare e filloi shkarjen në deklarime jashtë rendit të ditës, në ofendime dhe fyerje që filluan t’i bëhen ministres së Jashtme zonjës Donika Gërvalla, e deri tek fjalët fyese nga deputetët e Partisë Demokratike”

“Në veçanti, pastaj me eskalimin e gjuhës së deputetit Ardian Kastrati, nga vendi i Memlit Krasniqi dhe vetë shefi i Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri. Qasja që sot synohet të ndërrohet e vërteta, ajo çfarë ka ndodhur në vitin 2015, kush e promovoi, e votoi dhe instaloi Gjykatën Speciale, dhe qysh sot perceptohet dhe si deklarohen po të njëjtit, është për keqardhje”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo tha se ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, po krijojnë kauzë të rreme ndaj deputetëve dhe zyrtarëve të Qeverisë.

“Historia nuk aq është e largët për t’iu kthy deklarimeve të krerëve dhe përfaqësuesve të PDK’së tek ata që ishin në kundërshti me Gjykatën Speciale dhe sot të krijohet një kauzë e rreme nga po e njëjta parti, ndaj zyrtarëve të Qeverisë e ndaj deputetëve është totalisht e papranueshme dhe duhet në çdo situatë të ardhme, të ndërmerren masa, qofshin përmes masave disiplinore por gjithashtu edhe këto reflektime të jenë pjesë e Rregullores së re të Kuvendit”, ka deklaruar Kusari-Lila.

“Kuvendi ka qenë arenë e dramave edhe të mëhershme, ka pasur raste kur deputetë të pozitës që kanë qenë në koalicion LDK-PDK, kanë ofenduar, fyer apo edhe akuzuar krerë të PDK-së për vrasje, por e kanë vazhduar bashkëqeverisjen”, ka deklaruar ajo.