Kurzi i mohon keqpërdorimet, insiston se do të mbetet lider i Austrisë

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka mohuar keqpërdorimet dhe ka premtuar se do të mbetet lider i shtetit edhe pas konfirmimit se është pjesë e hetimeve të prokurorisë rreth akuzave për ryshfet.

Të enjten partneri i tij qeverisës ka bërë të ditur se akuzat kanë pasur ndikim negativ dhe kanë ngritur dyshimet në lidhje me aftësinë e kancelarit për të udhëhequr vendin.

Kurz dhe nëntë persona të tjerë dyshohen se me para të buxhetit kanë paguar një gazetë për raportime pozitive.

E njëjta gazetë ka realizuar anketa të rrejshme për popullaritetin e kancelarit austriak.

Të mërkurën prokurorët kanë bastisur kancelarinë, zyrat e Ministrisë së Financave dhe të partisë konservatore të Kurzit.

Paratë e buxhetit të shtetit dyshohet se janë keqpërdorur mes viteve 2016-2018.

Gjatë kësaj periudhe ai u bë fillimisht kryetar partie pastaj në vitin 2017 fitoi edhe postin e kancelarit.

Në një rast tjetër gjyqësor, 35-vjeçari ishte vënë nën hetime për dyshimin se ka dhënë deklarata të rrejshme në komisionin parlamentar, akuzë kjo të cilën gjithashtu e ka mohuar.

Të enjten Kurz ka thënë se është shumë i qetë në lidhje me akuzat dhe se nuk e kupton përse është fajtor për keqpërdorime.