Kurti zbutet për Rakiqin: Agim Veliun e Shkelzen Gashin i shkarkonte për “fjalë goje”

Kur erdhi në pushtet për herë të parë në koalicion me LDK-në, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje tregohej i patolerueshëm ndaj gabimeve, qofshin ato edhe deklarata në debate televizive.

Kurti si kryeministër i vendit e kishte shkarkuar për “një fjalë goje” Ministrin e Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së (me të cilën ishte në koalicion qeverisës), Agim Veliun, veprim ky që u bë edhe shkas për prishjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan lajmi.net.

Veliu si ministër kishte mbështetur deklaratën e ish-presidentit Hashim Thaçi që vendi të shpallë gjendje të jashtëzakonshme pas rrezikut për shpërndarjen e virusit, kur Qeveria e Kosovës edhe kishte shpallut gjendjen emergjente pas situatës së krijuar me virusin COVID-19.

Pasi që kryeministri Kurti ishte shprehur kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ministri Veliu i kishte dalur kundër duke përkrahur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Menjëherë ditën e nesërme, Kurti kishte marrë vendim për shkarkimin e ministrit Veliu, pasi që sipas Kurtit ky ministër ka përhapur panic duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në ore”.

Kurti kishte deklaruar se Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës kishte qenë vetë Veliu.

Kryeministri Kurti në mandatin e parë kishte vepruar njëjtë edhe me njerëzit e afërt të tij, sikur se kishte vepruar me këshilltarin e tij, Shkëlzen Gashin.

Gashi kishte deklaruar në një emision televiziv se ka individë, përfshirë edhe ata në hierarkinë e lartë të UÇK-së, kanë kryer krime lufte.

Ai kishte thënë se janë raportuar edhe fakte nga organizata ndërkombëtare për këto pretendime, duke thënë se ai beson që autorët e këtyre krimeve duhet të ndëshkohen.

Deklaratat e Gashit kishin nxitur reagime të shumta, pasi që u pranuan si qëndrim i Qeverisë Kurti.

Kurtit nuk i kishin ikur as deklaratat e Gashit, andaj edhe ishte takuar dhe e kishte liruar nga detyra, duke thënë se është më mirë që debatin në të cilët ishte përfshirë Gashi, nuk është mirë ta bëjë nga pozita e këshilltarit të tij.

“Ka aq shumë gjëra për të cilat pajtohemi në të tashmen, ka edhe të atilla për të cilat nuk pajtohemi nga e kaluara. Z. Gashi nuk është një bashkëbisedues i lehtë. Nga kjo vështirësi kam mësuar”, kishte shkruar Kurti në njoftimin e tij.

Por, Kurti si duket ka ndryshuar dhe reflektuar gjatë kohës sa ishte përsëri në opozitë, deri sa u zgjodh përsëri kryeministër më 14 shkurt të këtij viti.

Kryeministri Kurti është treguar më i butë me Ministrin e Pushtetit Lokal nga radhët e Listës Serbe, Goran Rakiq. Ky i fundit ishte deklaruar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targa ndaj Serbisë.

Përderisa njësitet speciale të Policisë së Kosovës shkuan në pikat kufitare në veri të Kosovës për të pasur situatën nën kontroll pas vendosjes së reciprocitetit, qytetarët serb dolën të protestonin kundër këtij vendimi.

Kësaj proteste iu bashkëngjit edhe ministri Goran Rakiq, i cili tha se ky vendim i Qeverisë (ku ai vetë bën pjesë) është kundër popullit serb.

Në anën tjetër, i pyetur nëse do të ndëshkojë ministrin Rakiq për pjesëmarrjen në protestën e organizuar nga banorët serbë të veriut, kryeministri Kurti ka thënë se nuk e sheh të arsyeshme të marrë masa ndaj tij.

“Me sa jam i informuar unë dhe sa më ka treguar ai, është përpjekur që situata të mos eskalojë dhe të mos ketë veprime të dhunshme. Nuk mendoj se duhet të marrë masa ndaj tij”, ka deklaruar Kurti gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër vendimi për reciprocitet për targa të automjeteve po vazhdon të zbatohet në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

Qytetarët serbë janë duke vazhduar ende protestën në Jarinjë, ku edhe e kanë bllokuar rrugën për në këtë pikë kufitare. Aty gjenden edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës të cilët po vëzhgojnë situatën nga afër.