Kurti: Vuçiq po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është duke e shkelur hapur marrëveshjen e vitit 2013.

Kurti në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se kjo marrëveshje që është nënshkruar në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi, në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Javën që shkoi, dorëzova kërkesën zyrtare të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot, ambasadorët e shteteve anëtare në COREPER II miratuan tekstin konsensual për vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim të vizave për Kosovën.

Procesi që filloi me dorëzimin e aplikimit zyrtar më 15 dhjetor në Pragë, në kuadër të Presidencës Çeke, do të vazhdojë me punën tonë dhe bashkëpunimin me partnerët e miqtë tanë. Një falenderim i veçantë për të gjithë zyrtarët shtetëror që ndihmuan në përgatitjen e këtij procesi dhe për zbatimin e reformave paraprake mbi të cilat e dëshmuam progresin tonë politik, ekonomik e juridik. I falenderoj të gjithë ata zyrtarë ndërkombëtar që reaguan në mbështetje të aplikimit tonë, dhe që po vazhdojnë të na mbështesin në këtë rrugëtim.

Presidenti dhe Qeveria e Serbisë, mbetën të vetmuar në kundërshtimin e aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE. Duke i dërguar letra shteteve anëtare të BE-së, që t’i nxisin për të kundërshtuar aplikimin tonë për anëtarësim në BE, Vučić-i po e shkel hapur dhe egërsisht marrëveshjen e tij të dashur të vitit 2013 (Marrëveshja Thaçi-Daçiq, 19 prill 2013) e cila në pikën 14 parashihte heqjen dorë nga kundërshtimi dhe pengimi i anëtarësimit të Kosovës në BE. Për mua e vetmja pikë me vlerë në atë marrëveshje është pika 14, sepse vetëm ajo siguron të ardhme demokratike, liberale e paqedashëse për të dyja shtetet në BE. Pikërisht për shkak të përmbajtjes së tillë, Serbia po e shkel kaq hapur një obligim të tillë.

Kosova do të bëhet anëtare kuptimplote në Bashkimin Evropian; Serbia nuk do të mund të na pengojë. Asnjëherë.