“Kurti, Vuçiq, Konjufca konstruktiv” | Lajçak thotë se s’pret ceremoni nënshkrimi në Ohër

Miroslav Lajçak, i dërguar i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka qëndruar sot në Prishtinë. E ardhjen e tij në kryeqytetin kosovar, përveç për takimet me kryeministrin Albin Kurti e presidenten Vjosa Osmani, Lajçaku e ka shfrytëzuar edhe për një intervistë relativisht të gjatë për emisionin “Context” të ATV-së. Aty ai ka folur për shumë tema, përfshirë marrëveshjen evropiane dhe takimin mes Kurtit e Vuçiqit në Ohër.

Sigurisht, ai tha se Brukseli ka ambicie që të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit në Ohër, ku pritet të ndodh edhe një takim mes Kurtit e Vuçiqit.

“Atëherë, palët do të pajtohen lidhur me këtë në takimin e 18 marsit në Ohër, apo do të ketë mundësi shtesë?”, ishte pyetja e Lart Hoxhës, moderatorit të Context-it.

“Kjo është ambicia jonë. Unë me të vërtet besoj se do të kemi ambicien për t’u pajtuar për hapin e dytë, për pjesën e dytë të dokumentit, në mënyrë që ta mbyllin procesin” , theksoi z. Lajçak.

Megjithatë, i dërguar i posaçëm u tregua i matur, ashtu edhe siç e “urdhëron” pozicioni i tij prej ndërmjetësuesi.

“Unë nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë palë të cilat po mbështesin këtë proces dhe besojmë se do të ishte e drejtë që edhe ata të ishin pjesë e kësaj”,deklaroi ai.

Sigurisht, ai foli edhe për çështjen e Asociaionit, duke theksuar se Kurtit ia ka dhënë 15 modele evropiane, duke shtuar se e kupton që për Kurtin kjo temë është e ndjeshme.

“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë, për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane. Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin. Dhe asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në këtë mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele”, vlerësoi ai.

Z. Lajçak foli edhe për atmosferën e takimit të 27 shkurtit, duke vlerësuar se kishte një diskutim të hapur e të sinqertë mes Kurtit e Vuçiqit.

“Më leni të filloj duke thënë se e konsideroj takimin ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vucic më 27 shkurt në Bruksel, si takim të mirë. Ne patëm një diskutim të hapur, të sinqertë por gjithashtu me respekt, ndoshta diskutimin më të mirë ndërmjet dy liderëve deri më tani, dhe po ashtu çfarë është e rëndësishme, rezultati i takimit është konkluzioni se nuk nevojiten diskutime të mëtutjeshme lidhur me tekstin e marrëveshjes. Kjo do të thotë se teksti është i mbyllur, ashtu siç është, ne e kemi publikuar tekstin në mënyrë që të gjithë ta dinë dhe ta lexojnë për vete se çfarë përmban teksti”, tregoi ai në ATV.

Përtej kësaj, z. Lajçak e vlerësoi si konstruktiv edhe deklarimet e z. Glauk Konjfucës, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

“Unë jam në dijeni të asaj çfarë z. Konjufca ka thënë në intervistë. Komentet e tij lidhur me propozimin i konsideroj konstruktive”, theksoi ai.