Kryeministri i Kosovës

Kurti vlerëson lart kontributin e diasporës për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sonte se kontributi i diasporës është i pamatshëm për vendin.
Në hapjen e Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, Kurti tha se diaspora kosovare është një urë lidhëse, që lidh atdheun me botë dhe se historikisht ka kontribuar në Kosovë edhe përmes remitencave.

“Diaspora është një urë lidhëse e atdheut tonë me botën. Kontributi i diasporës është i pamatshëm, duke përfshirë edhe ndërtimin e shtetit tonë. Gjatë orëve të errëta qytetarët tanë në diasporë folën për ata që nuk mundën flasin gjatë luftës. Ata folën për krimet dhe gjenocidin që pati në vendin e tyre. Historikisht, diaspora jonë vazhdon të kontribuojë në mënyrë vitale përmes remitencave”, tha ai.

Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se ky forum është i nevojshëm për të diskutuar për praktikat e angazhimit të diasporës në Kosovë.

“Forumi “Ulpiana” grumbullon vendimmarrësit nga bota për të prezantuar dhe diskutuar për praktikat më të mira të diasporës, por edhe diplomacisë tonë… Forumi Ulpiana është një hapësirë për angazhimin e diasporës në sfidat aktuale të kohës sonë si inteligjenca artificiale, ndikim klimatik dhe siguria”, tha ajo.

Kryeshefi ekzekutiv i Institutit “The Networking”, Kingsley Aikins, theksoi nevojën e mbajtjes së forumit “Ulpiana”.

“Tani kemi lidhje më të dobëta, si rezultat i kësaj shtetet kanë pesë sfida të mëdha. Fillimisht, ka më pak zhvillim të biznesit, më pak të punësuar në vendet e punës, ka më pak qetësi, ka më pak lojalitet të kompanive dhe kulturë të kompanive. Prandaj ky forum është i rëndësisë se në këtë sallë ka ide të mëdha”, tha ai.

Forumi “Ulpiana”, si një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në vend synon të avancojë marrëdhëniet midis qeverive dhe politikave nëpërmjet angazhimit të diasporës dhe zhvillimit ndërkombëtar. Forumi do të zgjatë nesër dhe të shtunën, ku do të ketë aktivitete të ndryshme. /KP/