Kurti uron Krishtlindjet: Festa është e juaja, por është edhe e jona

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook ka uruar festën e Krishtlindjeve për të gjithë shqiptarët katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë.

Ai ka uruar që kjo festë të sjellë bekime për besimtarët krishterë.

Tutje, Kurti tha se sipas traditës shqiptare, festat fetare urohen gjerësisht nga bashkësia kombëtare. “Pra është e jona”, shkroi Kurti.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kurtit:

Shqiptarët katolikë, ortodoksë, protestantë e ungjillorë, sot presin Krishtlindjen në një situatë padyshim të pazakontë. Kjo festë e rëndësishme kolektive për të krishterët, që çdo vit e presin me ceremoni të bukura e mesha festive, sivjet festohet nën kufizime e masa. Por Lindja e Krishtit është mesazhi universal i shpresës, që vjen te çdo njeri e që triumfon, mesazh i dashurisë që ngadhnjen mbi vetminë e braktisjen. Me shpresë e besim e duke ndenjur pranë me zemra edhe pse në distancë fizike, do ta tejkalojmë këtë sfidë të madhe të pandemisë.Uroj që Krishtlindja sivjet të sjellë forcë e shëndet, për besimtarët e krishterë e familjet e tyre, sigurisht edhe për klerikët që shërbejnë në kishat tona. Qoftë e bardhë e sjelltë bekime kjo festë motra e vëllezër të krishterë. Kjo festë e juaja, por që sipas traditës shqiptare të festave fetare urohet e gëzohet gjerësisht nga bashkësia kombëtare, pra është edhe e jona.