Kurti-UNESCO-s: Jemi të përkushtuar të mbrojmë trashëgiminë kulturore në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga UNESCO tërheqjen e katër vendeve të trashëgimisë në Kosovë nga Lista e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Ai në një postim në Twitter ka bërë të ditur se së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca më 21 maj kanë kërkuar nga UNESCO që të tërheqë vendimin e saj, duke thënë se arsyet për vendosjen e tyre në listën e rrezikut nuk vlejnë më.

“Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë kulturore në vendin tonë”, ka shkruar Kurti sot në Twitter.

Liderët e Kosovës kanë kërkuar nga UNESCO që katër monumentet e Kosovës që janë të listuar në Listën e Trashëgimisë Botërore – Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren – të largohen nga kategoria “në rrezik” pasi rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.