Kurti u përgjigjet sindikatave: Është koha për punë, jo për grevë

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur SBAShK-ut e cila nën mbështetjen e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka paralajmëruar grevë të mësimdhënësve qysh nga 24 gushti, raporton Paparaci.

Kurti ka deklaruar se nuk është koha për greva por për punë, teksa shtoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me sindikatat për t’i parë nga afër kërkesat e tyre.

“Andaj, duam të vazhdoj dialogun social, por nuk mendojmë që është koha për grevë Duhet të ketë emancipim, jemi për dialog social pa kërcënime”, tha ai para gazetarëve.

Shefi i qeverisë theksoi se me ligjin për paga të zyrtarëve publikë dhe shërbyesve civilë  po vendoset rregull për herë të parë.

“Për grevën e paralajmëruar kemi pasur komunikim me sindikatat, ata janë njoftuar me punën tonë në raport me kërkesat e tyre, edhe sot jemi në komunikim me ta, pas konsultimit për ligjin e pagave, kërkesë kjo e kamotshme e tyre, paralajmërimi për grevë i ka humbur kuptimi, kërcënimit për paralizim të institucioneve kur tash ligji për paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa është gabim, nuk është koha për greva, por për punë”, tha ai në një konferencë për media.

Sipas tij, tash është koha që sindikatat t’i bëjnë gati komentet për ligjin për paga.

“Ne i duam sindikatat jo spektatore por pjesëmarrëse dhe jo vetëm për shërbyesit publik por edhe për zyrtarët publik kur të del në konsultim publik”, përfundoi ai.