Kurti thotë se s’ka shtyrje të afatit për targa, vjen reagimi i ish-ministrit të MPB-së Agim Veliu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i prerë në vendimin për targat.

Ai ka thënë se afati i fundit për konvertimin e tyre në targa RKS është 31 tetori.

Me këtë vendim të sotëm, Kurti ka vendosur që të mos përfill kërkesën e Departamentit të Shtetit e as të Bashkimit Evropian të cilët kanë kërkuar që ky afat të shtyhet edhe për 10 muaj.

Ani, pse i njëjti nga ta po vlerësohet se është legjitim.

“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.

Ish-ministri Veliu: Qeveria t’i llogarisë të mirat dhe të metat e kërkesës për shtyrje të afatit të targave

Për ish-ministrin e Punëve të Brendshme Agim Veliu, kjo çështje i takon vetëm Qeverisë së vendit, duke thënë se tashmë nuk i takon të merret tash me këtë.

“Ky është vendim i Qeverisë së Kosovës, tash ata duhet me u marrë me këtë çështje, unë nuk jam në ato rrjedha dhe nuk mund ta jap asnjë mendim”, ka thënë ai, për Front Online.

I, pyetur se a duhet të shtyhet ky vendimi pasi që është kërkesë e të huajve dhe se cilat do të jenë pasojat në rast të mos shtyrjes, Veliu ka pohuar se Qeveria duhet të llogarisë të mirat dhe të metat nga një kërkesë e tillë.

“Qeveria duhet t’i llogarisë të gjitha, të mirat dhe të metat e një kërkesë të tillë dhe sigurisht duhet ta marrë vendimin më të mirë për Kosovën, nëse ata mund ta gjejnë cili është vendimi më i mirë për Kosovën, përndryshe ai është vendim me të cilin ata duhet të merren. Unë besoj që do ta gjejnë ndonjë zgjidhje”, ka deklaruar Veliu.