Albin Kurti

Kurti thotë se diaspora po investon në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti thotë se diaspora po investon në Kosovë.

Në vendosjen e gurthemelit të një fabrike në Gjilan sot, Kurti thekson se “sa më shumë që rritet prodhimi në vend, aq më i lartë është punësimi e eksporti, e aq më e mirë mirëqenia e qytetarëve”.

“55 vjet më parë, Ramadan Hashani, së bashku me vëllain binjak, Bajramin, kishte shkuar në Sindelfingen të Gjermanisë (afër Stuttgartit). Në pjesën më të madhe të jetës së tij atje, punoi në fabrikën e Mercedesit. Dëshirën më të madhe atëbotë e kishte që të kursente aq sa të mund të blinte një veturë të asaj marke. Atë veturë do ta voziste Arsimi, i biri, i cili po kthehet në vendlindjen e tij, në Vërbicë të Kmetovcit të Gjilanit, 22 vjet pas, tash si investitor për të hapur një fabrikë për prodhimin e dyerve, dritareve, roletave dhe përpunimin e materialit të xhamit në fshatin e tij të lindjes e fëmijërisë”, shkruan Kurti.

Ai thotë se fabrika fillimisht do të punësojë 50 punëtorë e më pastaj do të mund të shkojë deri në 150 punëtorë.

“Fabrika, të cilës ia vendosëm gurthemelin sot, do të punësojë fillimisht 50 punëtorë e më pastaj do të mund të shkojë deri në 150 punëtorë. Investimet parashihen të jenë afër 10 milionë euro. 95% e prodhimit, do të jetë për eksport në Gjermani.

Sa më shumë rritet prodhimi në vend, aq më i lartë është punësimi e eksporti, e aq më e mirë mirëqenia e qytetarëve. Investimet e tilla si të Arsimit, i cili po kthehet në vendlindje bashkë me familjen e tij, na e rrisin besimin dhe na e shtojnë zellin dhe energjinë, për sa më shumë punë të mbara e të mira”, thekson Kurti.

VIDEO BONUS: Përparim Rama flet për shkaqet që kanë çuar deri te zjarri në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë