Shtesat e Policëve

Kurti thotë se 700 policë janë paguar më shumë se Presidentja, por s’tregon që “sekreti” është te orët shtesë të punës 

Kryeministri Albin Kurti, e ka quajtur lajm të mirë përcaktimin e shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, ndonëse qeveria e tij kishte hequr ato.

Ai në konferencë për media ka thënë se policët do t’i marrin retroaktivisht shtesat prej shkurtit të vitit 2023, kur edhe ka hyrë në fuqi Ligji i ri i Pagave.

Kurti më tej ka bërë edhe një krahasim të pagesave që u janë bërë disa policëve gjatë këtij viti, duke treguar se si ata kanë marrë më shumë sesa presidentja Vjosa Osmani. Por këtu ai nuk e ka përmendur se bëhet fjalë për pagesat e orëve shtesë që kanë bërë policët.

“Janë shtatë kategori. Shtesa më e lartë e rrezikshmërisë do të jetë 150 euro, më e ulëta 45. Dua të theksoj se janë 2134 policë që kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se 1,000 euro, që i bie afër 27 për qind e policëve”, është shprehur Kurti.

“Në qershor dhe korrik, 700 është numri i policëve që është paguar më shumë sesa presidentja, do të thotë rreth 10 për qind e tyre”, ka vazhduar ai.