Kurti: Taksa hiqet, vendoset reciprociteti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se së shpejti Kosova do ta heq taksën ndaj Serbisë.

Kurti ka thënë sot se në vend të taksës do të vendoset masa e recipocitetit.

Duke folur në Konventën e Prodhuesve të Kosovës, Kurti ka thënë se taksa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar, mirëpo se reciprociteti do të ndërmerret si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve.

“Do ta zëvendësojmë tarifën me reciprocitet. Tarifa ka qenë vendim i qeverisë së kaluar. Ne jemi për reciprocitet si masë mbrojtëse ndaj prodhuesve. Parimet të reciprocitetit që do ta nxjerrim nga Qeveria do të jenë të bazuara në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe të CEFTA-s”, ka thënë Kurti.

Tutje, Kurti ka thënë se edhe ministrja Rozeta Hajdari ka ndërmarrë disa hapa për heqjen e taksës, duke formuar kështu grupin punues i cili do të përmbledhë të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, nga ku më pas do të merret vendimi për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit.

“Ministrja Hajdari ka bërë disa hapa për heqjen e taksës. Rozeta ka marrë vendim për krijimin e grupit punues që do të mbledhë të gjitha barrierat tregtare me Serbinë, dhe pastaj do të marrim vendim për heqjen e tarifës. Ne jemi shtet sovran, dhe do të veprojmë si të tillë”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se masa e reciprocitetit e propozuar nga Albin Kurti po kundërshtohet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat po kërkojnë që Kosova mos të vendosë masë të re ndaj Serbisë, në atë mënyrë që t’i hapë rrugë rinisjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.