Kurti takon shefin e OSBE, flasin për de-eskalimin e situatës dhe zgjedhjet e reja në veri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim shefin e OSBE-së, Michael Davenport dhe zëvendës shefin e OSBE-së Jeffrey Bieley.

Në këtë takim kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)  dhe zhvillimet në vend.

Siç njofton ZKM, Kurti e ka njoftuar shefin e OSBE për emërimin e nënkryetarëve nga komuniteti serb në komunat në veri: Katarina Axhançiq, nënkryetare e Komunës së Mitrovicës Veriore, Slagjana Pantoviq, nënkryetare e Komunës së Zveçanit, dhe Dragana Miletiq, nënkryetare e kuvendit komunal në Leposaviq, si dhe për emërimin nga Kuvendi me vota të fshehta të Sergjan Sentiq në pozitën e zëvendës Avokatit të Popullit.

Në takim ata kanë biseduar edhe për de-eskalim të situatës në katër komunat në veri  dhe normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

 Në lidhje me zgjedhjet e reja, Kurti ka thënë se duhet të jenë zgjedhje të lira dhe të ndershme, të planifikuara e përgatitura mirë, me garë të hapur dhe pa frikësim.