Kurti takon Pompeon e Trumpit, ‘harron’ përplasjet dhe përkrahjen e Biden në zgjedhjet amerikane

Në margjinat e tryezës ndërkombëtare “The Economist” në Greqi, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka takuar ish-Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe ish-Drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, i cili shërbeu në dy pozitat e rëndësishme në kohën kur administrata Trump ishte në pushtet.

Ky takim, që mund të cilësohet i papritur, vjen në një kohë kur pozicionet politike kanë ndryshuar shumë nga koha sa Pompeo ishte pjesë e establishmentit amerikan, krah ish-Presidentit Donald Trump dhe kur Kurti ishte në qeverinë e parë të tij, nga e cila u rrëzua, për mendimin e shumëkujt, me ndikimin e administratës Trump.

Përplasja e Kurtit me të deleguarin e Trump për Kosovë, Richard Grenell kishte shkuar në nivele të larta, saqë Kurti me rastin e zgjedhjeve në SHBA, kishte dalë hapur në mbështetje të kandidatit demokrat për president, tani president, Joe Biden. Për mendimin e shumëkujt, po ashtu, Kurti kishte një ndikim në fitoren e Biden në SHBA, sado i dyshimtë mund të duket ky pretendim.

Në përplasjet e shpeshta dhe lojërat me fjalë ndërmjet Grenell dhe vetë Kurtit e përkrahësve të tij, Kurti e kishte quajtur atë “kauboj të financave” dhe e akuzonte që nuk do t’ia dijë për historinë e shqiptarëve dhe humbjet e Kosovës.

Gjatë kohës sa Kurti ishte në qeverinë e tij të parë dhe Pompeo në pozitën Sekretarit të Shtetit, ka pasur dhe shkëmbime letrash. Në njërën letër, Pompeo i kërkonte Kurtit heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, një gjë të cilën Kurti kishte refuzuar ta bëjë.

“Përfundimi i tarifës për produktet serbe dhe boshnjake do të ndihmonte që palët të kthehen në tavolinën e negociatave. Ne shpresojmë dhe presim që ky do të jetë prioriteti juaj dhe se do të shfrytëzoni momentumin e krijuar nga marrëveshjet që synojnë të vendosin lidhjen ajrore dhe hekurudhore mes Prishtinës e Beogradit”, i shkruante Pompeo Kurtit.

Përplasja kishte degjeneruar deri në atë masë, saqë Kurti ankohej edhe te diplomatët e huaj evropianë dhe mediat ndërkombëtare për ndërhyrjet e administratës amerikane në qeverinë e tij, ndërkohë që Grenell kishte shkuar deri në atë pikë, saqë Kurtin e kishte quajtur “anti-amerikan”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një vështrimi për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeiner Zeitung” i dërgonte një mesazh presidentit e SHBA-së dhe të dërguarit të tij për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenellin duke thënë se “marrëveshjet nën presion dhe kërcënime kanë fare pak vlerë, edhe nëse në to i vëmë nënshkrimet”.

Kurti kishte refuzuar në vazhdimësi kërkesat e SHBA-së për t’iu qasur Serbisë në forma më të buta politike e diplomatike, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje përfundimtare. Kjo gjë kishte nxitur edhe përplasjen e me partnerin e koalicionit, LDK-në, e cila kishte dalë nga koalicioni dhe kishte përkrahur rrëzimin e qeverisë Kurti I në Kuvendin e Kosovës./Express/