Takimi

Kurti takon në Mynih Kryeministrin e Armenisë, shtetit që s’e njeh ende Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.

Ky takim ishte i pari mes tyre dhe Kurti shprehu mirënjohjen ndaj qëndrimit të Armenisë në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës.

Kurti ndër tjera theksoi se Kosova i ka të përbrendësuara vlerat e Këshillit të Evropës dhe se krahas kësaj organizate, synon anëtarësimin edhe në NATO.Në anën tjetër, kryeministri armen theksoi rëndësinë dhe simbolikën e këtij takimi të parë mes dy kryeministrave.

Ai po ashtu shprehu interesim për bashkëpunim ekonomik dhe për mundësitë që ofron Kosova në investime.

“Në këtë drejtim, mes tjerash, Kryeministri Kurti veçoi sektorin e energjisë.Interesim dhe gatishmëri të dyanshme kishte edhe për bashkëpunim në fushën e kulturës, filmit, turizmit dhe edukimit”, thuhet në komunikatë.